Dalin pamjet, polici që ishte në pikë kontrolli në Istog goditet nga vetura

Një zyrtar policor është goditur nga një veturë mëngjesin e së mërkurës në fshatin Banjë të Istogut.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ku sipas tij zyrtari policor në momentin e aksidentit ishte në pikë kontrolli.
Zyrtari ka pësuar lëndime të konsiderueshme trupore, me ç’rast është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë.
“Të mërkurën më 19 nëntor rreth orës 08:35, në fshatin Banjë-Istog, ka ndodhur një aksident trafiku dhe si pasojë nga një veturë është goditur zyrtari Policor, i cili ishte në pikë kontrolli, zyrtari Policor ka pësuar lëndime trupore i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar nga Njësiti i trafikut Rajonal”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Ndryshe, tashmë kanë dalë edhe pamjet nga aksidenti i rëndë ku shihet teksa Polici i trafikut e ndalon veturën. Derisa vetura filloi të ndalej, një kamion i KFOR-it e godet veturën nga prapa.
Vetura nga forca e goditjes e shtyp policin dhe e godet edhe një kamion i cili ishte i parkuar.
Pas shkaktimit të aksidentit, pjesëtarët e KFOR-it dalin nga kamioni dhe shkojnë drejt veturës së aksidentuar për të ofruar ndihmë./Telegrafi/


































