Conceicao lëndohet, Zhegrova mund të debutojë nga minuta e parë në “Derby d’Italia” kundër Interit
Sulmuesi i Juventusit, Francisco Conceicao, është tërhequr nga kombëtarja e Portugalisë për shkak të një lëndimi muskulor, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në “Derby d’Italia” kundër Interit këtë fundjavë.
Federata Portugeze e Futbollit konfirmoi se 22-vjeçari u largua nga kampi stërvitor në Budapest pas shqetësimeve muskulore dhe është përjashtuar nga ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës ndaj Hungarisë. Ai do të kthehet në Torino për kontrolle të mëtejshme mjekësore.
Conceicao ka qenë titullar në të dyja ndeshjet e para të Juventusit në Serie A, duke ndihmuar skuadrën të marrë fitore ndaj Parmës dhe Genoas.
Ai ka luajtur si sulmues krahu, përkrah Kenan Yildizit në sistemin e trajnerit Igor Tudor prej 3-4-3.
Nëse ai nuk rikuperohet në kohë, alternativa për Tudor mund të jenë nënshkrimi i ri Edon Zhegrova ose mesfushori Teun Koopmeiners, varësisht nga zgjedhja taktike e teknikut kroat.
Zhegrova ka qëndruar në Torino për tu përgatitur sa më mirë për ndeshjen ndaj Interit dhe ai mund të luajë tashmë startues para tifozëve Bianconero në "Allianz Stadium".
Ndeshja mes Juventusit dhe Interit zhvillohet të shtunën mbrëma në Torino dhe pritet të jetë një nga duelet më të zjarrta të sezonit në Serie A. /Telegrafi/


















































