Çmenduria e Man Cityt: Pagoi 50 milionë euro dhe tani e dërgoi në divizionin e dytë

Sheffield United e ka arritur marrëveshjen për ta huazuar mesfushorin e Manchester Cityt, Kalvin Phillips.
Klubi që garon në Championship ka kompletuar afrimin për lojtarin, të cilin Manchester City kishte paguar rreth 50 milionë euro katër vite më parë, por që nuk ka arritur të gjejë hapësira të qëndrueshme nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Marrëveshja është huazim i pastër, pa detyrim apo opsion blerjeje në fund të sezonit. Manchester City pritet të mbulojë pjesën më të madhe të pagës së Phillips, e cila raportohet të jetë rreth 150 mijë funte në javë (afërsisht 173 mijë euro).
Drejtuesit e Cityt e shohin këtë lëvizje si një mundësi për t’i dhënë vazhdimësi një lojtari që ka mbetur në hije. Edhe pse marrëveshja finalizuar, Sheffield United nuk ka qenë klubi i vetëm i interesuar, pasi disa skuadra evropiane kanë shfaqur gjithashtu interes.

Një karrierë te City e shoqëruar me vështirësi
Kalvin Phillips iu bashkua Manchester Cityt nga Leeds United në vitin 2022, në një transferim prej 50 milionë eurosh, duke firmosur një kontratë gjashtëvjeçare. Megjithatë, ai nuk arriti asnjëherë të konsolidohej si titullar në “Etihad”, ndërsa situata u vështirësua edhe më shumë për shkak të problemeve me gjendjen fizike.
Pas Kupës së Botës 2022, Pep Guardiola deklaroi publikisht se Phillips ishte rikthyer “mbipeshë”, një koment që mesfushori anglez e pranoi më vonë se kishte qenë një goditje e madhe për vetëbesimin e tij.
“Ka qenë një goditje shumë e madhe për besimin tim”.
Më vonë, Guardiola kërkoi falje për deklaratën. Në shkurt të vitit 2024, ai u shpreh: “Më vjen keq për të. I kërkoj sinqerisht falje. Kam folur me të për këtë çështje. Unë kurrë, absolutisht kurrë, nuk flas me mediat pa folur më parë me lojtarin”.
Huazimet te West Ham dhe Ipswich
Kalvin Phillips is a Blade. 🥰
— Sheffield United (@SheffieldUnited) February 2, 2026
Phillips, i cili ka 31 paraqitje me përfaqësuesen e Anglisë, ka zhvilluar vetëm një ndeshje këtë sezon me Manchester Cityn: shtatë minuta lojë në raundin e tretë të Kupës së Ligës ndaj Huddersfield. Në janar të vitit 2024 ai u huazua te West Ham, ku regjistroi tetë paraqitje në Ligën Premier.
Në verën pasuese u huazua sërish, këtë herë te Ipswich, ku luajti 22 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe shënoi një gol. Në total, Phillips ka zhvilluar 32 ndeshje me fanellën e Manchester Cityt, duke realizuar një gol.
Sheffield United, nën drejtimin e Chris Wilder, aktualisht renditet në vendin e 17-të në Championship, shtatë pikë mbi zonën e rënies, dhe e sheh Phillips si një përforcim kyç për luftën e mbijetesës./Telegrafi















































