Këngëtarja dhe aktorja e njohur Edona Reshitaj do të jetë këtë vit një nga artistet pjesëmarrëse në “Zurich Shqip Up Comedy Festival”, që mbahet më 31 tetor dhe 1 nëntor në Zvicër.

Pas suksesit të vitit të kaluar, kur ajo mori pjesë në after-party si këngëtare, Edona këtë herë do të ngjitet në skenë edhe si aktore e stand-up komedisë, duke sjellë për publikun një performancë të mbushur me energji, humor dhe spontanitet.


Në një video promovuese të publikuar në rrjetet sociale, artistja ka zgjedhur ta prezantojë pjesëmarrjen e saj përmes satirës dhe vetëironisë, ku shihet duke u përpjekur të regjistrojë një mesazh për festivalin, por pengohet disa herë nga njerëzit përreth – përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Besart Sllamnikun, i cili e ndalon me pyetjen humoristike “Ku po shkon?”.

Në video, Edona thotë me entuziazëm: “Përshëndetje për të gjithë ju bashkatdhetarë që jetoni në Zvicër, e kam një lajm fantastik! Me muzikë po se po, por kësaj here kam me marrë pjesë edhe me stand-up. Të dashur miq, shihemi më 31 tetor dhe 1 nëntor në Zvicër, në festivalin Shqip Up Comedy! Po vijmë bashkë”.

Edona dhe Besarti, të njohur tashmë si çifti i humorit, do të jenë në skenë gjatë natës së parë të festivalit, më 31 tetor, duke sjellë një performancë të re që pritet të ngjallë shumë të qeshura dhe reagime pozitive nga publiku shqiptar në Zvicër.

Me këtë rikthim, Edona Reshitaj dëshmon edhe njëherë aftësinë e saj për të kaluar me natyrshmëri nga muzika në aktrim, duke e konsoliduar pozitën e saj si një artiste e gjithanshme dhe shumë e dashur për publikun shqiptar. /Telegrafi/