Chelsea është ndëshkuar me një ndalim të pezulluar të transferimeve dhe me një gjobë prej 10.75 milionë funtesh për shkelje të rregullave financiare të Ligës Premier gjatë kohës kur klubi ishte në pronësi të Roman Abramovich.

Liga Premier vendosi një ndalim transferimesh për një vit, por ai është pezulluar për dy vjet. Dënimi lidhet me pagesa të paligjshme që dyshohet se janë bërë ndaj agjentëve dhe individëve të tjerë.


Liga Premier kishte hapur hetime për pagesa sekrete të realizuara nga Chelsea në periudhën 2011–2018.

Klubi londinez i raportoi vetë parregullsitë te Liga Premier, Federata Angleze e Futbollit dhe UEFA pasi ato dolën në dritë gjatë procesit të verifikimit financiar kur konsorciumi BlueCo, i udhëhequr nga Todd Boehly dhe Clearlake Capital, bleu klubin në vitin 2022.

Sipas “Sky Sports”, hetimi ka përfshirë edhe disa transferime të rëndësishme, përfshirë ato të Eden Hazard, Samuel Eto’o dhe Andreas Christensen.

Në një deklaratë zyrtare, Chelsea theksoi se ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet që nga fillimi i procesit.

“Që nga fillimi i këtij procesi, klubi i ka trajtuar këto çështje me seriozitetin maksimal, duke ofruar bashkëpunim të plotë me të gjithë rregullatorët përkatës”.

Klubi gjithashtu mirëpriti faktin që Liga Premier njohu bashkëpunimin e tij të plotë gjatë hetimeve.

“Klubi e mirëpret njohjen nga Liga Premier të ‘bashkëpunimit të jashtëzakonshëm’ dhe faktin se pa deklarimet vullnetare dhe vetë-raportimin, një numër i shkeljeve të rregullave të Ligës Premier mund të mos ishin zbuluar kurrë”, thuhet në komunikatën e Chelseas./Telegrafi/

telegrafi sport app