Çfarë mendojnë për shortin trajnerët e kundërshtarëve të Kosovës në rast kualifikimi në Botëror

Kombëtarja e Kosovës ka mësuar sot (e premte) kundërshtarët e mundshëm në Kupën e Botës në rast se ia dalin të kualifikohen.
Në Uashington të SHBA-ve u mbajt shorti, i cili vendosi ‘Dardanët’ në Grupin D, së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Paraguain.
Pas hedhjes së shortit, përzgjedhësit e të tria kombëtareve dhanë mendimin e tyre për grupin në të cilin gjenden.
“Është një grup i barabartë, ndonëse ende duhet të mësojmë kundërshtarin e ‘play-off’-it. Faza përgatitore do të jetë vendimtare”.
“’Play-off’-i po ashtu do të jetë kompleks. E dimë që ekipi që vjen nga ‘play-off-i do të jetë në nivel me SHBA-në, me ne dhe me Australinë”, ka deklaruar përzgjedhësi i Paraguait, Gustavo Alfaro.
Në anën tjetër te Australia shortin e kanë vlerësuar si tejet të përshtatshëm, të paktën kështu ka deklaruar përzgjedhësi Tony Popovic.
“Ka ende gjëra të panjohura. E kemi ndeshjen e parë me fituesin e ‘play-off’-it C evropian, por jemi të entuziazmuar”.
“Kupa e Botës është gjithnjë e vështirë dhe ne kemi grup të vështirë, por po shikojmë para drejt sfidës që është para nesh”, ka deklaruar ai.
Se shorti nuk është aspak i lehtë e pranoi edhe përzgjedhësi i SHBA-ve, Mauricio Pochettino, i cili për këtë i paralajmëroi edhe lojtarët e tij.
“Mesazhi im për lojtarët është se Paraguai, Australia dhe ekipi tjetër (fituesi i ‘playoff’-it) do të jenë të vështirë. Duhet të përgatitemi sikur çdo ndeshje të jetë finalja e Kupës së Botës”.
“Të mendosh se duhet të fitojmë para se t’i luajmë ndeshjet është mentalitet i gabuar”, ka deklaruar Pochettino./Telegrafi/










































