Çështja e presidentit, Kurti: Do të vazhdoj dialogun me opozitën, nga sot ftesat - takimet në javën e ardhshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sot po planifikon të ju dërgoj ftesa liderëve opozitarë për takime në fillim të javës së ardhshme për çështjen e presidentit.
Kurti përmes një prononcimi për media nga QKUK ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duke theksuar se stabiliteti institucional duhet të jetë prioritet dhe se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut me partitë opozitare.
“Së pari unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy takime me kryetarin e PDK-së, fatkeqësisht në 48 orët e fundit para se të mbërrinte mesnata e 5 marsit nuk patë asnjë takim, mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale dhe vetëm kur PDK kërkoi që ne të sigurojmë votat për të dy kandidatët e saj pa na i treguar fare emrat neve. Më pak se 30 orë para mesnatës së 5 marsit ne nxorëm emrin e Glauk Konjufcës. Sërish pritëm dhe vetëm 3 orë para mesnatës së 5 marsit e nxorëm dhe emrin e Fatmire Kollçakut. Besoj që me krerët e partive opozitare duhet të takohemi. Qysh sot do të ju çoj ftesa për tu takuar në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë Kurti.
Duke komentuar deklaratat e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Kurti tha se nuk dëshiron të përsërisë qëndrimet e tij nga konferenca e javës së kaluar, por theksoi se çështja tashmë ndodhet në shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.
Ai shtoi se vendi ka kaluar një vit me shumë procese zgjedhore dhe se përsëritja e tyre nuk do të ishte e dobishme, përcjell Telegrafi.
“Unë nuk kam se çfarë të shtoj nga konferenca për media që ishte para një jave. Nuk besoj që është e nevojshme të përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, unë jam kryeministri i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksi duhet të vihet tek fakti që në vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk kemi nevojë të përsërisim atë në 2025. 2026 është viti i ri, nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura. Ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi gjithashtu se bllokimi i punës së Kuvendit ka sjellë vonesa në realizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përmendur se mbi 120 milionë euro projekte janë vonuar për shkak të mosfunksionimit të institucioneve.
“Meqenëse mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk po punon Kuvendi i Republikës, dhe në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtojnë së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tash se kush e ka shumicën dërrmuese. LVV ka fituar me 51.1 për qind dhe çështja është te kuorumi prej 81 deputetëve, dhe nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po arrijmë 80 deputetë. Është e domosdoshme që sa më parë të funksionalizohet Kuvendi dhe të mos shkojmë me zgjedhje të reja të panevojshme”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.
Duke folur për datën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, ai tha se sipas vlerësimit të tij data e vetme e mundshme ishte 28 dhjetori, pasi organizimi i zgjedhjeve më herët nuk ishte i realizueshëm për shkak të sfidave teknike dhe logjistike.
“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor dhe nëntor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor. Në muajt e fillimit të këtij kemi shkuar me buxhetin 1/12 dhe kjo nuk do të mjaftonte për shpenzimet e KQZ, pasi KQZ i duhet më shume mjete në muajt kur ka zgjedhje”, tha ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/




























