Psikologia Erza Ramadani nga Gjilani e ka shënuar muajin e ndërgjegjësimit ndaj autizmit me një shkrim të dedikuar personave të prekur nga kjo gjendje.

Në një rrëfim për Telegrafin, Ramadani ka shpalosur synimin e saj për të ndriçuar sfidat me të cilat përballen personat me autizëm, si dhe për të promovuar mirëkuptimin dhe përkrahjen ndaj tyre.


Të lexuarit përfshin disa faza, të cilat sipas saj, fëmija duhet t’i përvetësojë gradualisht për të arritur në fund tek kuptimi i plotë i asaj që lexon.

“Materiali ndihmon lexuesin të kuptojë më mirë sfidat me të cilat përballen personat me autizëm, pikërisht duke e ilustruar se sa i ndërlikuar dhe sfidues mund të jetë ky proces për ta,” thekson ajo.

Ajo shton se gjatë strukturimit të shkrimit është përpjekur të sjellë aktivitete që ndihmojnë në zhvillimin e të lexuarit dhe e bëjnë atë sa më tërheqës për fëmijët.

“Çdo hap është i strukturuar dhe ka rëndësinë e vet”, tha Ramadani.

Si autore e këtij materiali, ajo tregon se motivimi për ta botuar kishte ardhur nga mungesa e materialeve në gjuhën shqipe për këtë temë.

“Duke parë që ka mungesë të madhe të materialeve në gjuhën shqipe në lidhje me këtë temë, atëherë kjo më nxiti të filloj të shkruaj për vështirësitë që kanë personat me autizëm në të lexuar dhe si t’i ndihmojmë për të zhvilluar këtë aftësi,” shtoi ajo.

Psikologia Ramadani shprehet optimiste se ky shkrim do të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

“Shpresoj që ky shkrim të jetë informativ dhe i dobishëm për të gjithë, e gjithashtu të kontribuojë në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse,” përfundoi ajo. /Telegrafi/