Kryetari shumëvjeçar i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, nuk do të jetë më kandidat për këtë pozitë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi të martën, ku njoftoi gjithashtu edhe kandidaturën e Besnik Osmanit si pasues i Berishës.


“Nga një fitues te një tjetër. Nga Burim Berisha te Besnik Osmani,” shkroi Abdixhiku, duke e cilësuar këtë ndërrim si një “kalim epokash” në kuadër të partisë dhe vetë komunës.

Abdixhiku falënderoi Berishën për kontributin 25-vjeçar në udhëheqjen e Fushë-Kosovës, duke vlerësuar transformimin e saj nga një “qytezë fushash” në një qytet me zhvillim të lartë dhe mbi 70 mijë banorë.

“Burimi nuk ndërtoi vetëm rrugë e shkolla – ai ndërtoi besim, respekt dhe kulturë të shërbimit publik. Sot, me aktin e kalimit të stafetës, ai dëshmoi edhe një herë madhështinë e karakterit të tij,” shkroi kreu i LDK-së.

Kandidati i ri, Besnik Osmani, është prezantuar si një figurë profesionale me përvojë në qeverisje, i cili sipas Abdixhikut, ka vizionin dhe maturinë për ta çuar përpara agjendën e zhvillimit të LDK-së në këtë komunë.

“LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje,” theksoi Abdixhiku, duke shtuar se procesi i tranzicionit është kryer me unitet dhe dinjitet të plotë brenda partisë.

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të sjellin një garë të re në Fushë-Kosovë, pas një epoke të gjatë të drejtuar nga një emër i vetëm.