Britania do të transferojë 2.8 miliardë euro nga shitja e Chelseat në fondin për Ukrainën

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se do të lejojë transferimin e 2.8 miliardë eurove, të përfituara nga shitja e klubit Chelsea FC nga Roman Abramovich, për qëllime humanitare në Ukrainë.
Lajmin e bëri të ditur të mërkurën kryeministri britanik Keir Starmer, duke paralajmëruar se oligarku rus mund të përballet me veprime ligjore nëse nuk e zbaton këtë vendim.
Që nga viti 2022, kur Abramovich u detyrua ta shesë Chelsean nën presionin e qeverisë britanike pas pushtimit rus të Ukrainës, fondet nga kjo shitje kanë qenë të ngrira. Tani, përmes një licence të posaçme, Britania ka autorizuar përdorimin e tyre – por vetëm për një qëllim: ndihmë humanitare për Ukrainën.
“Koha po mbaron për Roman Abramovich që ta përmbushë zotimin e bërë në momentin e shitjes së Chelseat dhe ta transferojë shumën prej 2.5 miliardë funtesh (2.8 miliardë euro) për një kauzë humanitare në Ukrainë”.

“Kjo qeveri është e gatshme ta zbatojë këtë vendim edhe përmes gjykatave, në mënyrë që çdo qindarkë të arrijë te ata, jeta e të cilëve është shkatërruar nga lufta ilegale e Putinit”, deklaroi Starmer në Dhomën e Komunave.
Sipas licencës së re, të gjitha të ardhurat duhet të shkojnë për ndihmë humanitare në Ukrainë, ndërsa përfitimet e mundshme në të ardhmen mund të përdoren edhe për viktima konfliktesh në vende të tjera. Megjithatë, fondet nuk mund të përfitojnë Abramovichin apo persona të tjerë nën sanksione.
Abramovich u sanksionua nga Mbretëria e Bashkuar në kuadër të masave ndaj oligarkëve rusë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, çka çoi edhe në shitjen e përshpejtuar të Chelseat. Që atëherë, paratë kanë mbetur të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve se a duhet të përdoren ekskluzivisht për Ukrainën apo edhe jashtë saj.
Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, e cilësoi situatën si të papranueshme: “Është e papranueshme që mbi 2.5 miliardë paundë, para që u takojnë popullit ukrainas, të qëndrojnë të ngrira në një bankë britanike”.
Qeveria britanike ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një fondacioni të posaçëm për shpërndarjen e këtyre mjeteve, i cili do të drejtohet nga Mike Penrose, ish-drejtor i UNICEF UK.

Roman Abramovich ka qëndruar larg vëmendjes publike që nga fillimi i luftës. Ai është sanksionuar për lidhjet e tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe raportohet se jeton mes Moskës, Stambollit dhe Tel Avivit, ku nuk është subjekt i sanksioneve.
Sipas mediave, Abramovich ka qenë i përfshirë në negociata për shkëmbimin e të burgosurve të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Gjatë përpjekjeve për ndërmjetësim në javët e para të luftës në vitin 2022, ai kishte shfaqur edhe simptoma të një helmimi të dyshuar. /Telegrafi/














































