Në radhët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka punëtorë që punojnë në heshtje por me përkushtim të jashtëzakonshëm për sigurinë dhe vazhdimësinë e prodhimit të energjisë.

Njëri prej tyre është Gëzim Selmani, i cili së fundmi është shfaqur si një hero i vërtetë në misionin e tij.


Në një video të publikuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, Selmani shihet duke dalë nga kaldaja e Bllokut A5, pas një ndërhyrjeje në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Ai hyn në një hapësirë të ngushtë dhe të rrezikshme në kuotën 49 metra brenda kaldajës, për të evidentuar rrjedhjet dhe përgatitur saldimet që janë jetike për funksionimin e bllokut dhe prodhimin e energjisë.

“Hyrja në këtë pjesë të ndërlikuar bëhet për evidentimin e rrjedhjeve të kaldajës, e më pas për përgatitjen e saldimeve dhe ndërhyrjeve teknike që sigurojnë vazhdimësinë e prodhimit të energjisë. Pjesa ku hyn është në kuotën 49 metra, derë e ngushtë – një hapësirë e kufizuar, me rrezik, por Gëzimi e kryen detyrën me profesionalizëm dhe përkushtim shembullor”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së KEK-ut.

Sindikatat dhe kolegët e tij e përshkruajnë Gëzimin si shembull profesionalizmi dhe përkushtimi, duke theksuar se punëtorët e KEK-ut janë “të heshtur, por të pazëvendësueshëm”. /Telegrafi/