LAJMI I FUNDIT:

BQK miraton Udhëzuesin për Regjistrin e Kredive në Kosovë

BQK miraton Udhëzuesin për Regjistrin e Kredive në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Udhëzimin e ri Metodologjik për Raportimin e të dhënave në Sistemin e Regjistrit të Kredive të Kosovës (RKK), i cili ka për qëllim të avancojë mënyrën e raportimit të të dhënave në RKK nga ana e institucioneve kredidhënëse, të cilat të raportohen sipas formatit të specifikuar nga BQK.

Sipas BQK-së, me me implementimin e Udhëzuesit të ri do të sigurohen të dhëna më të detajuara lidhur me aftësinë paguese të huamarrësve, ngarkesën me borxh, kostot e kredisë, klasifikimin e kredive, qëllimin e shfrytëzimit të kredive, vlerën e kolateralit, gjininë e huamarrësve, aplikimet e refuzuara dhe ato në proces, si dhe përditësim i të dhënave kyçe të huamarrësve nga bankat dhe institucionet tjera kredidhënëse në RKK.

Në kuadër raportimit të kolateralit të huamarrësve në RKK, do të përfshihen informata të zgjeruar lidhur vlerën e regjistruar nga bankat dhe institucionet tjera kredidhënëse, vlerën e tregut, vlerën e rivlerësuar, dhe elemente tjera, për të mbikëqyrur pajtueshmërinë e institucioneve financiar për adekuatshmërinë e kapitalit, nivelin e provizioneve, si dhe praktikat e institucioneve kredi-dhënëse, përfshirë aspektet e mbrojtjes së konsumatorit.


“Gjithashtu, përfshihen informata të rëndësishme të disagreguara në bazë gjinore të huamarrësve si një element i rëndësishëm që lidhet me projektin e BQK-së për qasjen e grave në financa, të mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes “WE Finance Code””.

BQK tregon se Udhëzuesi do t’i shërbejë BQK-së gjatë hartimit të politikave ndaj sektorit financiar, avancimin e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna si dhe njëkohësisht i ndihmon institucioneve financiare kredidhënëse për marrjen e vendimeve të mirë informuara gjatë procesit të lejimit të kredive si dhe në menaxhimin e rrezikut kreditor, që i kontribuon zhvillimit të sektorit si dhe stabilitetit financiar njëkohësisht.

Zbatimi i udhëzuesit do të përfshijë përveç kredive të reja, edhe gjithë portofolin e kredive aktive me të dhëna të reja të kërkuara të cila do të zbatohen në faza.

“Avancimi i këtij Udhëzuesi është bërë në konsultim me institucionet financiare zbatuese, duke i paraprirë një procesi të ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për zbatim të këtij Udhëzuesi, ndërsa ka pasur ndihmën e ekspertizës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare me të cilën BQK-ja është duke bashkëpunuar me projektin për Shërbimet Financiare Digjitale”, thuhet në fund.