Grenlanda po shndërrohet në një nga pikat më të ndjeshme gjeostrategjike të dekadës.

Arktiku nuk është më periferi, por qendër e interesave të fuqive të mëdha.


Evropa mund të ballafaqohet në këtë aspekt me Amerikën e NATO mund të ndahet në qëndrime ndërsa lufta në Ukrainë, zhvillimet e fundit në Iran, tensionet rreth Tajvanit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme po e formësojnë globin.

Kina dhe Rusia, çuditërisht, po qëndrojnë në heshtje për Venezuelën. Një heshtje që nuk është neutrale, por mund të jetë strategjike.

Ndërkohë, në Kosovë, dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultateve, debati publik vazhdon të sillet rreth një teme kryesore: numri i ulëseve në Kuvend.

A i ka Lëvizja Vetëvendosje 57 apo 58 deputetë? A mund t’i kishte Partia Demokratike e Kosovës 23 ulëse? Pse Lidhja Demokratike i ka vetëm 15 e jo 20 sa kishte?

Ndërkaq, diskutimet për qeverisjen e ardhshme, për prioritetet katërvjeçare, për programin politik, për ministritë dhe për politikat konkrete që do ta prekin jetën e qytetarëve, janë pothuajse të padukshme.

Në vend të pyetjes çfarë do të bëjmë?, vazhdojmë të pyesim sa i kanë?

Kjo do të ishte thjesht një anomali politike, po të mos ishte problem serioz strategjik.

Sepse, Kosova, ndonëse shtet i vogël, është jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj zhvillimeve globale.

Çdo lëvizje në NATO, çdo tension mes fuqive të mëdha, çdo ndryshim në raportet ShBA–BE, çdo situatë në Lindje e në Ukrainë mund të këtë ndikim edhe në sigurinë e politikën e jashtme të vendit.

Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me një botë më të pasigurt, më të polarizuar dhe më pak të durueshme ndaj improvizimit.

Ajo do të duhet të ketë qasje të qartë ndaj sigurisë, diplomacisë, energjisë, ekonomisë dhe marrëdhënieve me aleatët. Këto nuk janë çështje teknike, por ekzistenciale.

Megjithatë, diskursi publik mbetet i ngujuar në rreth parlamentar dhe ironia është e pashmangshme: teksa bota po digjet, ne numërojmë karriget.

Natyrisht, rezultati zgjedhor ka rëndësinë e vet dhe respektimi i procedurave është thelbësor për demokracinë. Por, nuk mbaron gjithçka te numërimi i mandateve. Demokracia vazhdon pikërisht aty, te vizioni, te përgjegjësia dhe te përgatitja për sfidat që vijnë.

Pyetja reale nuk është kush ka një ulëse më shumë në Kuvend. Pyetja është: a jemi gati për botën që po vjen?