Borussia Dortmund e pranon se e ka shitur Gittensin te Chelsea - dalin detajet e transferimit

Borussia Dortmund ka konfirmuar transferimin e anësorit 20-vjeçar Jamie Gittens te Chelsea. Detajet përfundimtare të marrëveshjes janë duke u finalizuar, ndërsa lojtari pritet t’i bashkohet klubit londinez shumë shpejt.
Marrëveshja u arrit gjatë zhvillimit të Kupës së Botës për Klube të FIFA-s në Shtetet e Bashkuara, ku të dy klubet janë pjesëmarrëse.
Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmund, Lars Ricken, foli për kalimin e Gittens dhe reflektoi mbi rrugëtimin e tij në klubin gjerman.
“Karriera e Jamie Gittens është një shembull i shkëlqyer për mënyrën se si zhvillohen talentet te Borussia Dortmund. Ne e zbuluam Jamien herët, e nënshkruam thuajse falas, dhe e rritëm në mënyrë të vazhdueshme në akademinë tonë të të rinjve. Ai gjithashtu mori minuta të rëndësishme në ekipin e parë”.
“Jamie e shpërbleu besimin tonë me përkushtim, paraqitje pozitive dhe gola. Kalimi i tij në Angli, vendin e tij të lindjes, është një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe një sukses për ne si klub zhvillues. I urojmë Jamiet gjithë të mirat në të ardhmen”, deklaroi Ricken.
“Blutë” do të paguajnë një shumë fikse prej rreth 57 milionë euro, ndërsa rreth 4 milionë euro të tjera do të jenë në formë bonusesh të lidhura me performancën, duke e çuar vlerën totale të mundshme të marrëveshjes në afërsisht 61 milionë euro.
Borussia Dortmund gjithashtu ka siguruar një klauzolë përqindjeje nga shitja e ardhshme si pjesë e marrëveshjes. /Telegrafi/










































