Keni ardhur në Tiranë për pak ditë? Po i ndiqni ndeshjet”Euro 2008"?

Bogdani: Për të qenë i sinqertë disa ndeshje, për të mos thënë shumë pak.

Cili është personi me të cilin kaloni më shumë kohë në Tiranë?


Bogdani: Është vëllai im binjak, Adi, me profesion jurist.

Jeni tifoz i ndonjë skuadre, di që keni qenë me Holandën dhe tani jeni me Italinë?

Bogdani: Jo, nuk jam tifoz. Unë thjesht vlerësoj lojën e skuadrave gjatë ndeshjes.

Si profesionist mund të bëni ndonjë parashikim për skuadrën fituese të “Euro 2008”?

Bogdani: Në fakt është shumë shpejt. Por mendoj që ndër skuadrat fituese mund të jenë, Spanja, Holanda, Italia.

Si është jeta juaj në Itali, si sportist me famë?

Bogdani: Kam tetë vite që jetoj në Itali. Tashmë njihem nga të gjithë, jam i vëzhguar, e si pasojë më duhet të bëj një jetë disi më të mbyllur, e të jem më i rezervuar.

Si përballeni me tifozët, në rastet kur një ndeshje nuk del mirë?

Bogdani: Tifozët kanë punën e tyre, por di që më kanë duartrokitur dhe si kundërshtar. Ajo që dua të them është që, në Itali sporti është i vështirë, ka konkurrencë të fortë dhe jo ç’do gjë varet nga lojtari.

Për Livornon ç’mund të na thoni? Mediat e komentuan si “sezon të errët”?

Bogdani: Jo gjithmonë skuadrat e arrijnë objektivin.

Ju keni një idhull, ai është Van Basten? Çfarë ju ka thënë kur e takuat?

Bogdani: Po. E kam takuar pas ndeshjes Holandë-Shqipëri dhe më përgëzoi për lojën e mirë dhe më uroi suksese.

Çfarë mund të jetë e rëndësishme për karrierën tuaj si sportist?

Bogdani: Të jem gati gjithmonë, duke u stërvitur sa më mirë.

Për momentin jeta profesionale?

Bogdani: Kam dy vite kontratë me ekipin e Chievos, mund të shkoj në Veronë.

E ndjek futbollin shqiptar?

Bogdani: Jo, nuk e ndjek. Por takohem me shokët e mi të kombëtares, dhe ata më informojnë për të gjitha ndeshjet. U uroj sukses të gjithë lojtarëve, që luajnë për Shqipërinë!

Si e shihni veten në lidhje me Shqipërinë. A mund të ktheheni një ditë?

Bogdani: Nuk besoj se kthehem. Në Itali u bënë shumë vite, dhe me atë vend kam lidhur shumë gjëra. Por besoj një kontribut i imi, do të ishte të jepja ndihmën time në përzgjedhjen e lojtarëve.

Mos e keni fjalën dhe për lidhjen tuaj me juristen italiane?

Bogdani: Në fakt nuk më pëlqen të flas për jetën private, por po të them vazhdoj të jem i lidhur, me Rossellën, 27 vjeçe, juriste nga Salerno. Prej më shumë së tre vite jemi bashkë.

Ç’plane keni, do e thelloni këtë lidhje?

Bogdani: Po. Së shpejti do të nisim bashkëjetesën. Mendoj se ka ardhur koha të bëj jetë familjare.

Martesën sa afër, apo larg e shihni?

Bogdani: Në fakt tani për tani, nuk kam plan për martesë.

“Gratë e futbollistëve” janë shumë të përfolura, Rossella si mund të prezantohet një ditë?

Bogdani: E thjeshtë, normale, e qeshur.

Prindërit, vëllai e kanë takuar?

Bogdani: Po natyrisht, ua kam prezantuar.

Ajo ka qenë në Tiranë?

Bogdani: Jo, në fakt ajo ka shumë dëshirë të vijë. Por këtë verë do ia plotësoj dëshirën, do vijmë të qëndrojmë 2-3 ditë këtu.

Ti një sportist, gjithmonë me udhëtime. Si ia bëni për të ruajtur ekuilbrat?

Bogdani: Kalojmë kohë bashkë. Kur ka mundësi më shoqëron dhe në ndeshje.

Si të duken vajzat shqiptare, krahasuar me ato italiane?

Bogdani: Nuk ndryshojnë. Besoj, po zvogëlohet shumë diferenca mes Tiranës dhe Perëndimit.

Mediat ju kanë komentuar si një nga “beqarët luksozë” të futbollit dhe “aventurier”. Ç’mund të më thoni?

Bogdani: Kjo fjala “aventurier”, nuk më pëlqen. Sepse për të thënë të vërtetën, unë në Itali jam person shumë i vëzhguar, dhe përpiqen të bëj një jetë sa më të mbyllur. /Panorama/