Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren ka ndaluar dhe konfiskuar një veturë BMW XM me targa zvicerane, pasi drejtuesi i saj u kap duke vozitur me 77 km/h në zonën me kufizim shpejtësie prej 50 km/h.

Rasti është regjistruar sot, më 15 tetor 2025, rreth orës 12:31, kur patrulla policore, përmes radarit mobil, ka evidentuar kundërvajtjen.


Gjatë kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se drejtuesi i mjetit ishte nën masën e ndalesës për drejtimin e automjetit, duke shkelur kështu nenin 246, paragrafi 5 dhe l të Ligjit për Trafikun Rrugor.

Si rezultat, automjeti luksoz është konfiskuar, ndërsa kundërvajtësit i është shqiptuar gjobë prej 500 euro dhe masë ndalese shtesë për drejtimin e automjeteve për një periudhë prej 6 muajsh.

Duke qenë se personi ka nënshtetësi zvicerane, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin hapat për njoftimin e autoriteteve zvicerane, në përputhje me procedurat ndërkombëtare.

Nga të dhënat në sistemin SIPK, rezulton se personi në fjalë ka një histori të rënduar kundërvajtjesh, me 114 gjoba të evidentuara, përfshirë 18 vetëm gjatë dy viteve të fundit prej të cilave 3 lidhen me drejtimin e mjetit nën ndalesë, sipas të njëjtit nen.

Policia e Kosovës apelon te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe masat e sigurisë, duke theksuar se toleranca ndaj shkelësve të ligjit do të jetë zero. /Telegrafi/