Me 31 pikë dhe në krye të Ligue 1, Lens po përjeton një periudhë shkëlqimi që pak kush e kishte parashikuar, dhe një pjesë e madhe e këtij momentumi mban emrin e dikur talentit të madh, sot veterani, Florian Thauvin.

Një start sezoni i jashtëzakonshëm, me 31 pikë në 14 ndeshje, ka ardhur në një kampionat ku PSG-ja dhe Marseille vazhdojnë të ndërtojnë një histori të re të paparashikueshmërisë. Lens po luan futboll të fortë, fiton rregullisht dhe guxon të ëndërrojë, sepse krahas përvojës së Florian Thauvin, nga akademia po shpërthen edhe një talent i ri si Rayan Fofana, i lindur në vitin 2006 dhe rritur brenda sistemit të klubit.


Monaco, Marseille dhe Lille e kanë ndjerë në lëkurë këtë fuqi të re të "Les Artésiens".

Rruga e gjatë drejt majave

Rruga deri këtu, megjithatë, nuk ka filluar këtë sezon. Lens prej vitesh ka investuar me durim për t’u ngjitur në majat e futbollit francez. Pas rikthimit në Ligue 1, objektivi i parë ishte mbijetesa, por shumë shpejt klubi u shndërrua në një skuadër që synonte garat evropiane.

Ky hap u arrit në sezonin 2023–24, me pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe më pas në Ligën e Evropës. Sezonin e kaluar përfunduan në vendin e tetë, një pozicion që i dha klubit bindjen se duhej një trajner me filozofi më të qartë, dhe kështu drejtimi iu besua Pierre Sage, i cili vite më parë kishte marrë përkohësisht Lyonin pa pasur as licencë trajneri.

Sot, ai është një nga arkitektët e këtij projekti: 10 fitore, një barazim dhe vetëm 3 humbje, 24 gola të shënuar dhe 12 të pësuar. Një bilanc që flet vetë.

Florian Thauvin, lideri i padiskutueshëm

Në qendër të këtij projekti qëndron Florian Thauvin, lojtari që ka marrë përsipër rolin e liderit në fushë. Golat, asistet dhe ndikimi i tij në lojë e bëjnë një figurë të pazëvendësueshme për Pierre Sage. Megjithatë, Lens nuk është një skuadër e varur nga një individ.

Përkundrazi, forca e tyre është kolektivi: Odsonne Edouard dhe Wesley Said me nga 5 gola secili, Seko Fofana dhe Jonathan Clauss me ndikim konstant në mesfushë, dhe një grup që funksionon si një mekanizëm i vetëm.

Këto rezultate janë edhe meritë e punës së Drejtorit Sportiv Jean-Louis Leca, i cili ka vazhduar me mjeshtëri punën e nisur nga Diego Lopez, sot tek Genoa.

Modeli modern i Lens - shitje të majme, blerje të lira

Modeli i Lens është ndërtuar mbi themele moderne: skauting i sofistikuar, menaxhim racional dhe qartësi afatgjatë. Klubi ka realizuar shitje të rëndësishme, me Khusanov që u largua për 40 milionë euro drejt Manchester Cityt, Kevin Danso te Tottenham, Neil El Aynaoui te Roma dhe Ibrahima Diouf te Inter.

Në total rreth 90 milionë euro të mbledhura, dhe vetëm gjysma e tyre e riinvestuar për të ndërtuar një skuadër që sot udhëheq tabelën e Ligue 1. E gjithë kjo ndodh në një kampionat ku PSG-ja dominon financiarisht dhe teknikisht, prandaj ajo që po ndërton Lens është një kryevepër futbollistike.

Tre blerjet kryesore të verës – Ibrahim Baidoo nga Salzburgu, Cheick Doucouré Sangaré nga Rapid Vienna dhe Odsonne Edouard nga Crystal Palace – po i japin dimensionin që skuadra kishte nevojë. Kjo është pjesë e filozofisë së klubit që funksionon në mënyrë moderne: të gjejë talent, ta zhvillojë dhe ta përdorë si kapital sportiv ose ekonomik.

Joseph Oughourilian dhe vizioni afatgjatë

Në këtë projekt nuk mund të lihet pa përmendur Joseph Oughourilian, sipërmarrësi francez me prejardhje libano-armene, drejtuesi që ka mbajtur gjallë klubin ekonomikisht dhe sportivisht. Që prej vitit 2016, kur bleu klubin në një moment delikat, ai ka sjellë stabilitet financiar dhe vizion të qartë.

Përveç Lens, ai zotëron edhe Millonarios dhe Padovën, klub të cilin e ngriti nga Lega Pro në Serie B dhe fitoi Superkupën C. Këtë vit, nën drejtimin e tij, Lens bleu edhe stadiumin historik Bollaert-Delelis për 27 milionë euro, një shenjë e qartë e ambicieve afatgjata.

Kombinimi i menaxhimit modern, skautingut të avancuar, shitjeve të suksesshme, rikthimit të investimeve në ekip dhe zgjedhjes së trajnerit të duhur ka krijuar një rrugë të pandalshme drejt majës. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app