Bizneset lokale në Skenderaj fuqizohen përmes programit “In Motion” me mbështetjen e UNDP

Komuna e Skenderajt, në bashkëpunim me Programin për Qëndrueshmëri Ekonomike të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka nisur zbatimin e metodologjisë In Motion, e cila synon fuqizimin dhe transformimin e bizneseve lokale përmes zhvillimit të kapaciteteve të tyre dhe përmirësimit të imazhit tregtar.
Në kuadër të këtij programi, 11 biznese përfituese nga Komuna e Skenderajt po marrin mbështetje të personalizuar, përfshirë asistencë teknike, përmirësimin e imazhit tregtar dhe pajisje të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, përcjell Telegrafi.
Programi, i cili ka nisur në muajin qershor dhe do të zgjasë katër muaj, ka rezultuar deri më tani me përmirësim të dukshëm të imazhit tregtar të bizneseve dhe ofrim të asistencës teknike.
Aktualisht, po shpërndahen pajisjet për bizneset përfituese, të cilat pritet të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese, zgjerimin e gamës së produkteve dhe shërbimeve, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës në komunitet.
Ky bashkëpunim thekson përkushtimin e Komunës së Skenderajt për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal dhe për të mbështetur ndërmarrësit vendorë në rrugën drejt rritjes dhe qëndrueshmërisë ekonomike. /Telegrafi/

















































