Përfaqësuesit e bizneseve të sektorit privat janë takuar sot në Odën Ekonomike të Kosovës për të diskutuar çështjen e energjisë elektrike dhe ndikimin e saj në aktivitetin e bizneseve, duke adresuar sfidat me të cilat po përballen për shkak të mungesës së komunikimit dhe transparencës institucionale.

Në reagim thuhet se disa kompani kanë filluar të ndjenjë pasojat, transmeton Telegrafi.


"Përfaqësuesit theksuan se mungesa e informimit po krijon pasiguri serioze për vendimet e ardhshme të bizneseve, ndërsa disa kompani tashmë kanë filluar të ndjejnë pasojat. Ata paralajmëruan se do të zhvillojnë takime me anëtarët e tyre për të koordinuar hapat e mëtejmë", thuhet në njoftim.

Të pranishmit ritheksuan rëndësinë e një reflektimi të menjëhershëm nga ana e Qeverisë, përpara se të bëhet tepër vonë për të parandaluar dëmet e mëtejshme në ekonominë vendore.

Bizneset kanë kundërshtuar daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike./Telegrafi/