LAJMI I FUNDIT:

Bislimi: Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht, BE-ja të përqendrohet në mohimin e Marrëveshjes Bazike nga Serbia

Bislimi: Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht, BE-ja të përqendrohet në mohimin e Marrëveshjes Bazike nga Serbia

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas vendimit për mbylljen e pikave të postës serbe në veri të vendit.

Në një postim në profilin e tij zyrtar, Bislimi theksoi se ky veprim është ndërmarrë pas marrjes së informacioneve nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), që tregojnë se operatorë ekonomikë pa licencë dhe të paregjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) po veprojnë në territorin e Kosovës.

Policia e Kosovës, në bazë të këtyre informacioneve, mbylli dje nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të vendit, duke argumentuar se Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.


Bislimi tha se veprimet e Policisë janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e konkurrencës, ndërsa strukturat paralele dhe aktivitetet ilegale nuk mund të tolerohen në Kosovë.

Ai gjithashtu kërkoi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për këto veprime, duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit.

Cili është roli i Postës së Serbisë për serbët e Kosovës?
Lexo po ashtu Cili është roli i Postës së Serbisë për serbët e Kosovës?

“Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale”, u shrpeh ai.

Bislimi theksoi se operimi i Postës së Serbisë në Kosovë, në një shtet që Serbia nuk e njeh, përbën shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë dhe prishje të konkurrencës në treg.

Ai shtoi se çështja e shërbimeve postare, e cila është konsideruar si temë për diskutim të ardhshëm në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, nuk i jep të drejtë Postës së Serbisë të vazhdojë operimin ilegal në Kosovë.

Mbyllja e filialeve të Postës Serbe në veri, SHBA e zhgënjyer me veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës
Lexo po ashtu Mbyllja e filialeve të Postës Serbe në veri, SHBA e zhgënjyer me veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës

“Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, theksoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri kritikoi gjithashtu Bashkimin Evropian për fokusimin në çështje teknike, në vend se të adresojë shkeljet e shumta të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit nga ana e Serbisë, duke kontribuar kështu negativisht në procesin drejt marrëveshjes finale.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi se është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh, promovojnë një përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar me pretendimet se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, jo vetëm që janë në kundërshtim me marrëveshjet në kuadër të dialogut, por edhe rrezikojnë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të mbetet e bllokuar./Telegrafi/