Big Brother po na shikon!
1984, viti i lindjes sime dhe koha kur morën formë idetë e mëdha politike në Kosovë, çuditërisht edhe sot më ndërlidhet me librin e Orwell-it – “1984”. Në këtë kohë në Kosovë, rinia ishte rezistenca kryesore kundër padrejtësive ndaj popullit të Kosovës, ndërsa në libër, “i plotfuqishmi” Vëllai i Madh (Big Brother) ushtron kontroll të plotë mbi mendjen dhe mendimet, për të siguruar mbarëvajtjen e sistemit të tij oligarkik.
Karaktere të mirënjohur e të ngjashëm me Vëllain e Madh, që parapëlqejnë të vetëquhen “të plotfuqishëm” na ekspozohen në baza ditore, në formën e kryeministrit apo ministrit, karaktere këto të imponuara që të bashkëjetojmë me to. Fjalimet e tyre më ngjajnë si ato të ish-liderëve komunistë Jozef Stalin apo Mao Tse Tung (me disa elemente farsë të fushatës parazgjedhore të Obamës), të cilat mund t’i gjejmë lehtësisht në YouTube! Targetin e kanë rininë, këtë gjigant që shpeshherë ju duket si strukturë imagjinare dhe jokompakte!
Shifrat marramendëse të përqindjes së popullsisë që zë rinia në Kosovë tashmë janë shndërruar në klishe nga përdoruesit e shpeshtë të tyre. Dëgjojmë fjali të tipit: “Ju jeni e ardhmja e këtij vendi” apo “Evropianët e Rinj” të cilat ma ofendojnë inteligjencën dhe shkollimin! Nënvlerësojnë aftësinë tonë për të perceptuar realitetin ashtu siç është aktualisht, duke insistuar me çdo kusht në krijimin e një imazhi të rrejshëm për Kosovën në përgjithësi, dhe për rininë e saj në veçanti! Në të gjitha faqet zyrtare të institucioneve qeveritare, linku për Rini është i zbrazët! Thënë shkurt: Rinia në vazhdimësi keqpërdoret për avantazhet e caktuara të kësaj Qeverie, pa asnjë kundërshpërblim!
Të gjithëve na kujtohet fushata “Kosovo – The Young Europeans” dhe realizimi i saj i shkëlqyeshëm, për të cilën u shpenzuan jo më pak se 8.5 milionë dollarë në vitin 2009 nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës! Po në të njëjtin vit, Qeveria komunale e Prishtinës për vitin 2010 ndau më pak se 2 milionë euro nga Buxheti Komunal për mbrojtje, integrim, zhvillim dhe përkrahje të rinisë, të cilat u realizuan vetëm përmes renovimit të fushave të vogla sportive nëpër lagje ku komunarët kishin më shumë vota! Duke mos hyrë fare në shumat që ndahen për rini nga niveli qendror, apo sa herë në vit përmenden të rinjtë gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës. Çfarë progresi po shënohet? Sa të rinj u punësuan? Sa të rinj fituan bursa studimi? Sa fëmijë u larguan nga rruga ku shitnin cigare dhe u rikthyen në banka shkollore? Sa femra u edukuan për planifikim familjar? Sa të rinj u shëruan nga varësia e abuzimit me drogën? Në raport me përqindjen rinore të popullsisë, shumë pak! Çfarë mundësish ka një i ri kosovar për përkrahje dhe integrim në perspektiven evropiane? Mundësi minimale. E as mos të na shkojë ndër mend për ëndrrën Kosovare – Visa Libéré!
Është e vërtetë se të rinjtë deri në moshën 25 vjeç e përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës, shifër që paraqet potencial dhe rrezik njëkohësisht! Sipas Studimit të Fizibilitetit për Kosovën, 75% e të rinjve janë momentalisht të papunë, ndërsa në më pak se 5 vitet e ardhshme rreth 200,000 të rinj do të arrijnë moshën ligjore për punë dhe do të vërshojnë tregun e punës në Kosovë. Ky potencial, nëse urgjentisht nuk orientohet nëpër kanale të duhura, ku do të mund të zhvilloheshin tutje segmente të ndryshme të Kosovës, automatikisht do të shndërrohet në rrezik! Kjo gjendje minimizon shpresën e qytetarit për një standard më të lartë jetësor, dhe për ditë më të mira në atdhe!
Spektaklet e fundit politike të partive në pushtet, kinse duke promovuar të rinj të shkolluar jashtë vendit nëpër pozita vendim-marrëse, veç sa shuan edhe më shumë shpresat e një intelektuali të ri kosovar për shkollim, integrim apo punësim në Kosovë! Nuk u mbetet gjë tjetër, përveçse shqyrtimi i mundësisë për kyçje në ndonjërën nga partitë politike me më shumë euro, apo gjetja e mundësisë për të ikur jashtë. Në pamundësi apo në mungesë vullneti për këto dy opsione, i riu kosovar ngelet në një pozitë tejet të palakmueshme, të mos them të mjerë e pa alternativë.
Rinia e Kosovës ishte përbërës shumicë në sallat e tubimeve gjatë fushatave të kaluara zgjedhore, ku pa fije turpi u bënë premtime megalomane. Ata përbëjnë shumicën e personave që kanë të drejtë vote, me votë të të cilëve u është dhënë e drejta qeveritarëve tonë për të na gënjyer e zhgënjyer. Jemi potenciali më i anashkaluar në Kosovë. Sot është koha që rinia me votën e tyre të kërkojë angazhim adekuat për çështjet që e preokupojnë. Populli i Kosovës nuk e meriton këtë politikë, e cila nuk ka asnjë emërues të përbashkët me demokracinë. Nuk duam të jetojmë në kafaz të mbyllur, me mbikëqyrje të plotë nga Big Brother, i cili kontrollon dhe ndëshkon çdo gjë që ia cenon maskën e integritetit!
Duam të shijojmë perspektivën Evropiane së bashku me moshatarët tonë nga Sllovenia e Shqipëria, jo siç kemi mbetur sot të izoluar nga rajoni – Living in the Ghetto!
Duam shkollim vendor cilësor, i cili do të plotësojë boshllëkun ndërmjet sistemit aktual të edukimit dhe tregut të punëdhënësve!
Duam përkrahje për zhvillim të bizneseve tona të vogla, të cilat sot punësojnë më shumë se 60% të popullsisë, dhe të cilat gjenerojnë rreth 40% të GDP-së së Kosovës!
Duam raporte ndërkombëtare progresive për Kosovën, jo siç i prijmë rajonit për negativitet, siç ndodhi në “Transparency International 2010” për korrupsion!
Duam që Kosova dhe rinia e saj të jetë storie suksesi në botë, si vend ku bashkëjetojnë diversitetet, e jo siç na quajti para ca ditësh kryetari i Londrës Boris Johnson si shtet shembull për “spastrimin shoqëror”.
Dua të besoj se dalja e rinisë në votime këtë herë do të ngrihet dukshëm në krahasim me vitet e kaluara, duke i dhënë jetë fuqisë sonë politike, duke ndëshkuar të gjithë ata që na shfrytëzuan, njollosën, dhe na mbyllën dyert e Evropës! E ardhmja është sot, duke qenë të ndryshëm në pikëpamje, të bashkuar në angazhim e punë, për të udhëhequr proceset tona vetë! Ndryshimi jemi vetë ne!
(Autorja është përfaqësuese e zgjedhur e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës)





















































