LAJMI I FUNDIT:

Bie numri i studentëve në universitetet publike, rritet në ato private

Bie numri i studentëve në universitetet publike, rritet në ato private

Mbi 17 mijë studentë janë regjistruar këtë vit në universitete por një numri i madh i maturantëve kanë regjistruar studimet edhe në universitetet e kolegjet private. Janë rreth 10 mijë studentë të regjistruar në institucionet arsimore private, ose mbi 1 mijë më shumë se sa në universitete publike.

Sipas të dhënave të siguruara nga KosovaPress, 9660 maturantë kanë zgjedhur këtë vit universitetet dhe kolegjet private. Kurse, 8802 të tjerë universitetet publike


Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për KP se këtë vit janë 500 studentë më pak në universitete publike e private.

“Sa i përket regjistrimeve, ne kemi këtë vit rreth 17.600 studentë që janë regjistruar në vitin e parë, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë rreth 18.100 studentë, pra kemi një diferencë prej 500 studentëve, e cila nuk është diferencë e madhe duke marrë parasysh trendët demografike, mirëpo, kemi ndryshime sa i përket sektorit publik dhe privat.

Në sektorin publik kemi një zvogëlim më të madh të numrit të studentëve, kurse në sektorin privat e kemi një rritje të lehtë… pra, ekziston një trend i lëvizjes së studenteve nga sektori publik në atë privat. Po ashtu, sa i përket aspekteve gjinore mund të vërejmë se kemi një pjesëmarrje të kënaqshme të grave në arsimin e lartë. Në sektorin publik rreth 63.7 për qind janë vajza dhe gra, ndërsa në sektorin privat rreth 53.9 për qind”, tha ai.

Ai shton se shpërngulja nga Kosova e të rinjve, është një faktorët që ka ndikuar në rënien e numrit të studentëve.

“Pse bie numri i studentëve janë faktorët demografik, ne tash kemi më pak të rinj se kemi pasur në vitet e kaluara dhe arsyeja tjetër mund të jetë edhe mundësia e punësimit pa përfunduar studimet universitare. Një arsyeje tjetër mund të jetë shpërngulja që e kemi nga Kosova dhe e cila vazhdon të jetë domethënëse…

Tjetra mund të jetë që sektori privat shpesh herë ofron mundësi të studimeve që janë më të përshtatshme për personat që punojnë. Do të thotë mësimi organizohet ndonjëherë në programe të caktuara, në ditët e fundjavës ose në mbrëmje dhe për ata që punojnë është opsioni i vetëm, sepse në sektorin publik mësimi organizohet me orar të plotë kur njerëzit pak kanë mundësi që ta ndjekin edhe mësimin edhe punën”, tha Pupovci.

Zëvendësministri i Arsimit thotë se po punojnë që të mos ketë ulje drastike të studentëve.

“Përndryshe numri i studentëve, po të mos ishin studentët që vijnë nga vendet tjera, do të binte edhe në vendet e Evropës Perëndimore. Universitetet janë të hapura edhe për ata që vinë nga shtete tjera dhe për shkak të tyre shpesh herë programet organizohen në gjuhën angleze në mënyrë që të mundësohet një mobilitet i tillë. Qëllimi tani nuk është që numri i studentëve të mos bie sepse nuk është që kemi ndonjë rënie drastike por qëllimi është që të përmirësohet cilësia”, tha ai.

Pupovci shtoi se numri i studentëve është duke u rritur mjaftë shumë edhe në fushën e shëndetit dhe të mirëqenies. Sipas tij, kjo po ndodhë për shkak të mundësive të punësimit jashtë vendit. Ai tha se janë mbi 2 mijë studentë në këtë fushë, derisa shtoi se para pesë viteve kanë qenë vetëm 600.

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Remzie Shahini-Hoxhaj tha se njëra ndër arsyet për rënien e studenteve në universitet janë debatet me kritika ndaj UP-së.

“Ka disa arsye për të cilat ka filluar te bie numri i studentëve në përgjithësi në Kosovë, mirëpo tek ne si universitet publik njëra ndër arsyet kryesore është pikërisht për shkak të diskursit i cili përdoret ndaj këtij institucionit. Gjatë tërë kohës në të gjitha debatet UP-ja kritikohet….

Një arsye tjetër është edhe joshja nga institucionet private për kundër arsimimit falas i cili i ofrohet në institucionet publike, kolegjet private kanë bërë të pa mundurën për t’i joshur studentët për të shkuar në studime atje. Ky diskurs i gjithëmbarshëm i cili po përdoret në media ndaj këtij institucioni me të padrejtë, ku ne kritikohemi vazhdimisht për cilësinë që ne ofrojmë, ka bërë që të zbehet interesimi për universitetin publik të Prishtinës”, tha ajo.

Ndërsa nuk ka përjashtuar edhe mundësitë tjera siç janë, studimet jashtë vendit dhe migrimi.

Hoxhaj ka kërkuar nga institucionet që ta marrin më seriozitet çështjen e të rinjve që migrojnë për shkaqe ekonomike.

“Natyrisht që institucionet do të duhej që ta merrnin shumë seriozisht çështjen e ikjes së rinjve nga vendi, të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga Ministria e Arsimit po edhe ne si institucione publike e private, do të duhej që të kontribuojmë në rritjen e cilësisë, kualitetin tonë që t’i ofrojmë të rinjve një jetë më të mirë”, shtoi ajo.

Rinor Qehaja, njohës i arsimit nga instituti EdGuard, ka përmendur disa arsye për rritjen e numrit të studentëve në institucionet private. Sipas tij, ato ofrojnë oferta të ndryshme dhe më fleksibile për studentët.

“Një rritje e vetëdijesimit të maturantëve padyshim që është faktor në interesimin më të madh për studime në privat. Po ashtu, një ofertë më ndryshe, programe të shkëmbimit, programe të praktikes, fleksibilitet në studime, të gjitha këto padyshim që ndikojnë të interesim më të madh në fund të ditës, në cilësi nuk është që dallojnë shumë, është një percepsion i gabuar ndër vite për një cilësi më të rritur të publikut ndaj privatit apo e kundërta, mirëpo ajo çka në fund e bën dallimin është oferta e studimeve”, tha ai.

Sipas tij, ulja e regjistrimit të studenteve duhet të jetë alarm për menaxhmentin e universiteteve, derisa shtoi se universiteti duhet të ofrojë cilësi në studime dhe një punësim më të mirë për studentët.

“Ulja e numrit të interesimit të studentëve duhet të jetë alarmante për menaxhmentin e universitetit, është koha e fundit që ky institucion ta kuptoj që debati për publikime nuk është ai që na sjellë cilësi të studimeve – Universiteti i Prishtinës duhet të kthehet në universitet sipërmarrës, një universitet që ofron cilësi në studime dhe një punësim më të mirë për studentët”, shtoi Qehaja. /kp/