Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar sot një takim me gratë e një prej lagjeve të qytetit, ku u diskutua për sfidat dhe nevojat që prekin drejtpërdrejt gratë e komunitetit.

Osmani theksoi se në programin e tij qeverisës, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave zënë vend qendror, duke përfshirë masa për rritjen e punësimit, mbështetjen ekonomike dhe përfshirjen më të madhe të grave në vendimmarrje.


“Sot mbajtëm një takim të ngrohtë dhe frytdhënës me gratë e Fushë-Kosovës. Diskutuam hapur për sfidat dhe nevojat që i prekin ato — nga punësimi e mbështetja ekonomike, deri te roli i tyre në vendimmarrje. Zëri i grave duhet të dëgjohet dhe të ketë ndikim në zhvillimin e Fushë-Kosovës që duam,” ka shkruar Osmani.

Ai ka shtuar se vizioni i tij dhe i LDK-së është për një Fushë-Kosovë “përtej dallimeve”, që krijon mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Fushë Kosova PËRTEJ! 113 është numri,” ka përfunduar kandidati i LDK-së.