Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fundin e kampionatit të Maqedonisë së Veriut në futboll. Gara për titull, për vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në garat evropiane dhe për mbijetesë është ende e hapur – dhe tashmë çdo ndeshje, çdo pikë dhe çdo gol ka peshën e vet të madhe, njofton Telegrafi.

Java e 29-të e Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë është e ndarë në dy ditë. Pesë ndeshje do të zhvillohen të dielën në ora 16:00, ndërsa një ndeshje është shtyrë për të hënën. Pikërisht ajo ndeshje e së hënës do të jetë përballja direkte për mbijetesë mes AP Brera dhe Voska Sportit, një duel vendimtar për ekipin shqiptar nga Ohri, i cili do të kërkojë fitoren për të mbajtur gjallë shpresat për qëndrimin në elitë.


Të dielën, në mesin e ndeshjeve më interesante është edhe ajo mes Vardarit dhe Besës së Dobërdollit, e cila do të zhvillohet në terrenin e FMM-s, “Petar Miloshevski” në Shkup, për shkak të angazhimit të arenës “Todor Proeski”, aty ku Vardari i luan ndeshjet kampionale.

Besa, është një tjetër ekip shqiptar që po lufton për pikë të çmuara dhe do të tentojë t’ia vështirësojë rrugën Vardarit dhe të sigurojë një rezultat pozitiv jashtë fushe.

Në këtë fazë të kampionatit, sytë janë gjithashtu nga ekipet shqiptare që janë në garë për majat e tabelës: Shkëndija për titullin kampion dhe Struga Trim & Lum dhe Gostivari mbeten në garë për pozitat që çojnë në Evropë. Ndërkohë, Shkupi, një emër i madh i futbollit shqiptar në Maqedoni, kërkon të rikthehet fuqishëm dhe të mbyllë kampionatin me dinjitet.

Java e 29-të (27 prill, ora 16:00): Shkëndija – Shkupi, Sileksi – Struga, Vardari – Besa, Gostivari – Rabotniçki dhe Pelisteri – Tikveshi. Të hënën me 28 prill me fillim nga ora 16:00 në Strumicë takohen AP Brera – Voska. /Telegrafi/

telegrafi sport app