Besa Famgas ndalet në raundin e dytë të Kupës Evropiane, barazimi s’mjafton për kualifikim

Skuadra e Besa Famgas është eliminuar nga Kupa Evropiane në hendboll, pavarësisht barazimit 32:32 ndaj kampionit të Bosnjë-Hercegovinës, Izvigjaç, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Rezultati i barabartë nuk mjaftoi për ekipin kosovar, pasi Izvigjaçi e kishte fituar thellë ndeshjen e parë, me rezultat 40:19, duke siguruar kështu kalimin në raundin e tretë të garës.
Ndeshja në Pejë ishte e luftuar dhe interesante, me mysafirët që mbyllën pjesën e parë në epërsi prej katër golash.
Te Besa u dalluan Elion Vokshi me nëntë gola, Deniz Terziqi me tetë dhe Abdulah Zayan me pesë. Portieri Olt Kabashi regjistroi tetë pritje.
Skuadra pejane pati probleme të mëdha para ndeshjes së parë në Bosnjë-Hercegovinë, pasi udhëtoi pa dy lojtarët egjiptianë për shkak të vështirësive me vizat.
Në raundin e parë të Kupës Evropiane, Besa Famgas kishte eliminuar skuadrën turke Depsas Enerji, por këtë herë aventura evropiane përfundon në raundin e dytë.

















































