LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Shqipëria një fuqi energjetike

Berisha: Shqipëria një fuqi energjetike

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Varshava, se Shqipëria do të shndërrohet në një fuqi bërthamore. Duke folur mbi situatën energjetike dhe projekteve në këtë fushë, Kryeministri Berisha u shpreh se një nga qëllimet kryesore të qeveris shqiptare është diversifikimi i burimeve të energjisë, i cili është një potencial shumë i madh.

Një tjetër qëllim sipas kryeministrit shqiptar, gjithashtu është efiçienca e energjisë, që është shumë e domosdoshme për suksesin në projektet në këtë fushë.

“Shqipwria ka potenciale të mëdha hidrike dhe një pozitë gjeografike kyç, si dhe shumë faktorë të tjerë ndihmues, që bëjnë që ajo të kthehet në një superfuqi të vogël energjetike në mbarë rajonin. Kjo do të thotë që Shqipëria duhet të zbulojë burime të ndryshme të energjisë, duhet të zhvillojë dhe forcojë lidhjet e interkonjeksionit me vendet e tjerë, si një vend i vogël dhe me treg të vogël”.

Kryeministri tha se puna në këtë drejtim tashmë ka nisur dhe rezultatet e para e kanë ndërruar situatën, veçanërisht për sa u përket sistemit të lidhjeve të interkonjeksionit.
Ai përmendi këtu disa projekte si; lidhjen e re të interkonjeksionit me Malin e Zi, që është duke përfunduar, licencimin e 2 lidhjeve nënujore, etj.


“Në një hark të shkurtër kohor, kemi licencuar dhe kemi përmbyllur marrëveshje koncensionare me 47 stacione hidrobauer, ku njëri prej tyre është nga më të mëdhenjtë në Evropë, që do të realizohet nga një kompani austriake dhe norvegjeze”.

Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare synon që menaxhimi dhe zhvillimi i fushës së energjisë në Shqipëri të bëhet totalisht nga sektori privat dhe kjo gjë po funksionon shumë mirë, duke shtuar se tashmë ka një interes shumë të madh, shumë të gjallë dhe transparent, nga shumë kompani të fuqishme, për prodhimin e energjisë në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Varshavë për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, mbajti sot një fjalë në punimet e panelit të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane, me tematikë; potencialet dhe perspektiva ekonomike e sektorit të energjisë. /Telegrafi/Gazeta Start/