Beqiri: Vendit nuk i duhen skena humoristike

Beqiri në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se është absurde të thuhet se koalicioni LDK-AAK-Nisma është duke e penguar procesin e formimit të institucioneve të reja.
“Në asnjë mënyrë nuk jemi duke e penguar formimin e institucioneve të reja. Ata që po tentojnë ta bllokojnë formimin e institucioneve, në këtë rast Kuvendin, gjegjësisht postin e kryetarit të Kuvendit, janë nga PDK-ja. Ju e dini se PDK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një lëndë, për ta shqyrtuar kinse ligjshmërinë dhe çështjet procedurale që kanë të bëjnë me seancën konstituive të Kuvendit, ku Isa Mustafa është zgjedhur kryetar me 65 vota të deputetëve. Prandaj është hipokrizi dhe pafytyrësi e zyrtarëve të PDK-së, të cilët bllokadat që janë duke i bërë vetë po tentojnë t’ua veshin të tjerëve”, ka thënë Beqiri.
Sipas tij, PDK-në e ka kapur paniku për faktin se nuk i kanë numrat për ta formuar qeverinë dhe as të jenë pjesë e saj.
“Ata janë duke e parë një realitet. Këtë herë nuk mund ta gënjejnë dhe mashtrojnë opinionin. Do të dëshiroja që PDK-ja mos të ishte në panik. Ata duhet ta pranojnë realitetin se nuk mund ta formojnë qeverinë dhe në mënyrë shumë të qetë të kalojnë në opozitë. Për neve ata janë në opozitë, sepse nuk i kanë numrat. Ju e dini se gjatë gjithë kohës, edhe në mandatin e kaluar, janë thirrur në numra, por nuk i kishin. Në atëkohë as ne nuk i kishim numrat për ta rrëzuar nga pushteti. Tani i kemi numrat për formimin e të gjitha institucioneve. Do të donim që PDK-ja ta kalonte fazën e panikut dhe të bie në tokë dhe ta pranojë realitetin, se në seancën konstituive të Kuvendit, më 17 korrik, ajo i kishte 37 vota, kurse ne 83 vota”, është shprehur Beqiri.
Ai ka pranuar se zvarritja e formimit të institucioneve të reja është duke e dëmtuar interesin e shtetit dhe të qytetarëve.
“Nuk mund të themi se kjo situatë nuk është duke shkaktuar probleme. Realisht është duke u parë qartë se kush është duke e penguar jetën e qytetarëve. Sigurisht dëmet nuk janë edhe të vogla dhe janë bukur vështirë të riparueshme. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të riparohen. Opinioni e di se qeveria në largim është duke marrë vendime të cilat e rëndojnë situatën dhe e vështirësojnë gjendjen ekonomike në vend”, ka deklaruar Beqiri.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se zyrtarët e PDK-së kanë filluar të bëhen edhe “humoristë”, sidomos kur deklarojnë se PDK-ja i ka numrat për ta formuar qeverinë e re.
“Sinqerisht jemi në një situatë serioze dhe të rëndësishme për vendin. Për shkak të kësaj situate duhet ta lëmë anash humorin. Mendoj se Grabovci është shndërruar në një humorist. Më vjen keq që po e quaj humorist në një situatë serioze për Kosovën. Vendit nuk i duhen skena humoristike. Është e pakuptueshme të thotë se i kanë numrat, kur në seancën konstituive është parë kush i ka numrat. Përpos 37 deputetëve, askush nuk dëshiron të bashkëqeverisë me PDK-në. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë fakt është më mirë për ta dhe Kosovën. Numrat shihen, raporti numerik është 83 me 37 në favor tonin. Se sa ka qëndrueshmëri rreth kësaj që jam duke thënë, flet fakti se në materialin voluminoz të fakteve dhe argumenteve, të cilin e kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive, kanë vënë nënshkrimet 80 deputetë”, është shprehur Beqiri. /epoka e re/





















































