Zv.kryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, të cilin këtë herë e kemi realizuar duke mos lëvizur. Me zv.kryeministrin kemi folur për VLEN-in, Qeverinë, si dhe çështjen e Korridorit 8.

Ai theksoi se me VLEN-in janë duke bërë punë të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por se ende nuk kanë përfunduar çështjet e organizimit të brendshëm.




"Jemi duke e ndërtuar. Mendoj se jemi duke bërë vepër të mirë dhe rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Të merresh me politik, duhet ta kesh ndjenjën e përgjithshme, atë jashtë vetvetes. Nëse kontributi është në interes të përgjithshëm, duhet të instalojmë edhe ndjenjën e përgjithshme. Në VLEN jemi duke e dhënë këtë mesazh dhe jemi duke e konfirmuar se VLEN-i është ndryshim i ri në skenën politike. Shumë parti dhe lëvizje janë themeluar dhe nuk kanë arritur të mbijetojnë, tek të gjitha këto ka qenë një fenomen që i ka lidhur në mes vete, ka qenë interesi i ngushtë që i ka lidhur. Edhe ne kemi pasur sfida dhe çmimin e kësaj e kemi paguar, por njëkohësisht edhe kemi mësuar", theksoi Sali.

I pyetur se pse është vonuar kaq shumë shkrirja e koalicionit VLEN në një parti, ai tha se punët e mira vijnë ngadalë.

"Është mirë që është vonuar pasi mendoj se i ka kontribuar besimit të aktorëve politik, dhe jam ithtar i mendimit se punët e mira vijnë ngadalë. Nuk janë definuar organizimi i brendshëm, pozicionimet, ideologjia politike - edhe pse nuk flitet tek ne për ideologjitë, ndarjet ndodhin për shkak të kësaj", tha Sali.

"Kemi besim tek njëri-tjetri. Kanë kaluar dy vite të bashkëqeverisjes dhe kemi pasur dy cikle zgjedhore në të cilat kemi dëshmuar unitetin e VLEN-it. Kemi gjetur modusin e funksionimit, duke mbjellur besimin në mes nesh. Kemi arritur në pikën që ato mikro-dallime t'i tejkalojmë", tha Sali në lidhje me besimin e liderëve të VLEN-it ndaj njëri-tjetrit.

Sa i përket VLEN-it në Qeveri, ai tha se angazhohen për të përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve.

"Gjatë formimit të këtij koalicioni kemi pasur parim që pozitat që i kanë pasur shqiptarët, të vazhdojnë t'i kenë, siç është kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i parë. Është periudhë e vështirë për të promovuar diçka, kur opozita nuk ndalon duke bërë propagandë, e fundit ishte çështja e sistematizimit në MPB. Vlerësoj se VLEN funksionon për të përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve. Kemi kujdes me inflacionin, marrim masa në kohë, p.sh për çmimet e karburanteve", tha Sali.

Në lidhje me çështjen e Korridorit 8 dhe informacionet se do të ndryshohet traseja, gjegjësisht korridori nuk do të kalojë kah Struga, ai tha se kjo është propagandë e opozitës.

"Opozita mjetin e vetëm e ka propagandën. Një projekt i cili është prioritet i NATO-s dhe BE-së, a mund ne ta ndryshojmë. Nuk kemi ne kapacitet të tillë të ndryshojmë projekt i cili ka prioritet të NATO-s. E kuptoj se oponentët politik duhet të bëjnë diçka, kur nuk kanë politika të shëndosha do të merren me propagandë. Ata i kanë kaluar fazat e bërjes së politikës dhe duhet ta dijnë që për disa gjëra nuk diskutohet", tha Sali./Telegrafi/