Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka deklaruar se ballkoni panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës po merr një vlerë të veçantë përmes vendosjes së statujës së Mbretëreshës Teutë, duke theksuar se ky veprim nuk është një vendim territorial, por një zgjedhje që tejkalon kufijtë administrativë.

Sipas Becit, vendosja e statujës synon të lartësojë figurën e Mbretëreshës Teutë dhe historinë që ajo përfaqëson, ndërsa pozicioni i ballkonit panoramik i jep veprës kuptimin e saj të plotë.


“Nga kjo pikë, vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur Mbretëreshën Teutë në hapësirën që i takon historikisht – atë të detit, të qyteteve bregdetare dhe të një trashëgimie që na bashkon”, ka theksuar Beci.

Ai ka shprehur falënderime për artistin Julian Muçollari, i cili realizoi veprën, si dhe për gazetarin Marin Mema, në cilësinë e drejtuesit të fondacionit “Shqipëria tjetër”, që kontribuoi në jetësimin e projektit.

Një falënderim i veçantë, sipas Becit, i ka shkuar edhe kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, me të cilin vendimi është ndarë dhe është dakordësuar në mirëkuptim të plotë institucional.

Në fund, kryebashkiaku i Shkodrës ka falënderuar edhe qytetarët që reagojnë dhe ndihen të lidhur me historinë dhe simbolet kombëtare, duke theksuar se vetëm duke parë më larg, me qartësi dhe mirëkuptim, mund të ndërtohet më shumë vlerë për trashëgiminë dhe për vendin./Telegrafi/