Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat të ngushtë 3-2 në udhëtim ndaj Berlinit në kuadër të fazës së 1/16-ës së finales në Kupën e Gjermanisë.

Takimi nisi keq për vendasit, pasi në minutën e 12-të Ilyas Ansah u bë protagonist i një autogoli të pafat, duke çuar Bayernin në epërsi prej 1-0.


Epërsia u dyfishua në minutën e 24-të kur Harry Kane shënoi me kokë pas një goditjeje këndi për rezultatin 2-0.

Union Berlini reagoi në fund të pjesës së parë. Pas rishikimit të VAR-it, u akordua penallti në minutën e 39-të dhe Leopold Querfeld u tregua i saktë, duke ngushtuar shifrat në 2-1.

Megjithatë, vetëm disa minuta më pas, vendasit pësuan një tjetër goditje të rëndë: Diogo Leite devijoi topin në portën e tij pas një goditjeje dënimi, duke e çuar rezultatin në 3-1 në minutat shtesë.

Pjesa e dytë nisi me tension të lartë. Harry Kane shkaktoi një tjetër penallti në minutën e 53-të dhe Querfeld realizoi sërish, duke e rikthyer ndeshjen në 3-2.

Bayern kishte mundësinë të thellonte epërsinë në minutën e 62-të, por Ronnoë priti gjuajtjen e rrezikshme të Kane nga distanca.

Union Berlini pati dy raste të mëdha për barazim: Andras Schafer provoi me një gjuajtje të fortë në minutën e 70-të, por Neuer bëri një pritje të shkëlqyer.

Pak momente më pas, Diogo Leite gjuajti mbi traversë nga brenda zonës, ndërsa Janik Haberer humbi një rast ideal nga gjashtëmetërshi në minutën e 75-të.

Bayern mendoi se e kishte mbyllur ndeshjen në minutën e 76-të kur Luis Diaz shënoi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në minutat e fundit Unioni provoi disa zëvendësime për të shtuar ritmin, por nuk arriti të gjejë golin e barazimit. Bayern Munich mbajti avantazhin dhe doli me fitore, duke siguruar kalimin tutje./Telegrafi/

telegrafi sport app