Basha informon Brichambaut për shengenin ballkanik

Basha përmendi asistencën e çmuar teknike të OSBE për modernizimin e shërbimit të Gjendjes Civile dhe për Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave, e po kështu kontributin e vazhdueshëm të OSBE për modernizimin dhe trajnimin me praktikat më bashkëkohore evropiane të policisë shqiptare.
“Vetëm disa ditë më parë falë mbështetjes së OSBE, 16 oficerë të policisë u certifikuan si instruktorë policorë ndërkombëtar, të cilët do të asistojnë në trajnimin e policisë afgane”, tha Basha, duke shtuar se tashmë policia shqiptare ka “kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar, atë të identifikimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale”.
Ministri Basha informoi Sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së edhe për nismën e Shqipërisë në kuadër të MARRI-t për konkretizimin e një ‘Shengeni ballkanik’ që do t’u mundësojë lëvizjen e lirë qytetarëve të vendeve të rajonit, vetëm me dokumente identifikimi.
Nga ana e tij, Brichambaut vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftë kundër krimit të organizuar dhe të gjithë formave të kriminalitetit dhe shprehu mbështetjen e OSBE për zbatimin e ligjit për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale. Zyrtari i OSBE-së shprehu mbështetjen e plotë për vijimësinë e projekteve të OSBE në Shqipëri në të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe po ashtu për rajonalizimin e përvojës së Shqipërisë për kontrollin e kufirit blu nëpërmjet Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare. /Telegrafi/




















































