Basha distancohet nga artikulli për UÇK-në: Kam hequr tërësisht kapitullin dhe emrin tim nga bashkëautorësia

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar sërish lidhur me një artikull akademik ku përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke deklaruar se është distancuar plotësisht nga ai publikim.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Basha ka bërë të ditur se ka kërkuar nga revista ku ishte botuar punimi i tij, i realizuar gjatë studimeve para 13 vitesh, që të tërhiqej tërësisht nga publikimi.
“Me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkëautor, unë kam bërë kërkesë që Kapitulli 3, ku kam kontribuar unë, të hiqet tërësisht nga ai publikim”, shkroi Basha.
Ai tha se Komiteti i Publikimeve i revistës e ka miratuar kërkesën dhe ka hequr jo vetëm kapitullin në fjalë, por edhe emrin e tij nga autorësia, pasi nuk ka kontribuar në pjesët e tjera të artikullit.
Në publikimin ku figuroi emri i Bashës, ndër të tjera thuhej se fondet për UÇK-në “erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në Evropën Perëndimore dhe SHBA”.



















































