Barcelona në pritje: Rinovimi i De Jong bllokohet nga agjenti dhe paga marramendëse

Rinovimi i Frenkie De Jong është në pritje, teksa Barcelona pret konfirmimin e agjentit të ri në mesin e tensioneve dhe shqetësimeve për pagën. Sipas MARCA, Barcelona është e interesuar të rinovojë kontratën me De Jong, por aktualisht negociatat janë në ngërç. Mesfushori ende nuk ka shkëputur zyrtarisht marrëdhënien me ish-agjentin e tij, Ali Dursun, gjë që ka bllokuar çdo hap të mëtejshëm në bisedimet për rinovim. Edhe pse De Jong ka rënë dakord në parim të vazhdojë te Barcelona, ai duhet të emërojë një përfaqësues të ri përpara se të nisin bisedimet formale. Rinovimi i kontratës së mesfushorit holandez është pjesë e strategjisë afatgjatë të drejtorit sportiv Deco, i cili synon të sigurojë të ardhmen e lojtarëve kyç, një plan që tashmë është konkretizuar me emra si Lamine Yamal, Gavi dhe Ronald Araujo.

Kontrata aktuale e tij përfshin një pagë bruto prej 22 milionë euro për sezonin e ardhshëm, që përfshin 19 milionë euro nga një bonus i mëparshëm nënshkrimi dhe 3 milionë euro bonus besnikërie, me mundësi që shuma të rritet në varësi të performancës. Shtyrja apo ristrukturimi i një pjese të kësaj pagese do t’i ofronte klubit frymëmarrje financiare dhe më shumë fleksibilitet në afatin kalimtar. 28-vjeçari më parë ishte nxjerrë në shitje nga klubi, një vendim që la gjurmë të thella te lojtari. Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit të kaluar, De Jong tani është i gatshëm të lërë pas të shkuarën dhe të vazhdojë me klubin katalanas, veçanërisht pas një forme të mirë në fund të sezonit të kaluar dhe lindjes së fëmijës së tij, që thuhet se ka ndikuar në dëshirën për stabilitet./Telegrafi/

































