Barcelona bën hapin gjigant drejt titullit, e “rrah” Espanyolin

Barcelona ka përfituar nga gabimi i Real Madridit për ta rritur edhe më shumë distancën në krye, me një fitore ndaj Espanyolit.
Katalunasit zhvilluan një tjetër paraqitje mahnitëse për të triumfuar me rezultat 4-1.
Pas vetëm nëntë minutave lojë, Ferran Torres shënoi me kokë pas harkimit të Lamine Yamal për të zhbllokuar epërsinë.
Të njëjtit bashkëpunuan sërish edhe te goli i dytë, ku këtë herë Torres shënoi me këmbë nga afërsia (25’).
Espanyol dha pak “shenja jete” falë Pol Lozanos, i cili realizoi pas një topi të kthyer (56’).
Sidoqoftë, Lamine Yamal u gjend në vendin e duhur pas topit të kthyer nga një aksion i shpejtë për të qetësuar tifozët vendas (87’).
Kurse, dy minuta më vonë Marcus Rashford e vulosi fitoren pas asistimit të Frenkie de Jong (89’).
Barcelona kështu shkon në kuotën e 79 pikëve, nëntë mbi Realin derisa Espanyol zë pozitën e 10-të me 38 sosh./Telegrafi/




















































