Banorët e fshatit Sallagrazhdë, në Komunën e Suharekës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e rënduar të rrugës “Tre Dëshmorët e Tivarit”, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tyre, rruga është e dëmtuar në segmente të shumta, çka po vështirëson qarkullimin dhe po shkakton kosto shtesë për qytetarët që e përdorin çdo ditë.


“Dëmtime në rrugë çdo 100 metra, që po bëhen të kushtueshme për qytetarët që e frekuentojnë çdo ditë”, thuhet në ankesën e banorëve, raporton Telegrafi.

Ata theksojnë se gjendja e rrugës jo vetëm që rrezikon sigurinë në komunikacion, por edhe ndikon drejtpërdrejt në dëmtimin e automjeteve.

Banorët i bëjnë thirrje komunës së Suharekës që të ndërmarrë masa konkrete për sanimin e rrugës, duke e konsideruar këtë si një nevojë urgjente për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lëvizjes në këtë zonë.

Për çdo ankesë që keni, mund të na shkruani në lokale@telegrafi.com. /Telegrafi/