Banorë të fshatit Sllovi të Komunës së Lipjanit prej vitesh po përballen me disa deponi të mbeturinave pa leje të cilat janë krijuar edhe nga banorë të lokaliteteve të tjera. Pikërisht rruga që lidh fshatin Sllovi – Vrellë dhe Pletkoviq është e mbushur me mbeturina. Ky aks i rrugës po shihet si një mundësi e mirë për rekreacion të qytetarëve nëse aty pastrohen mbeturinat.

Ardian Bytyqi, banor i këtij lokaliteti, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se institucionet lokale asnjëherë nuk e kanë marrë mundin për ta vizituar këtë aks të rrugës e cila është mbushur me mbeturina dhe me inerte.


“Këto deponi pa leje po i shqetësojnë të gjithë banorët sepse aty po hedhen mbeturina nga persona të pa përgjegjshëm. Me këtë ambient prej shumë vitesh po përballem të gjithë qytetarët. Sikur të pastrohen këto deponi atëherë këtë aks të rrugës mund ta shfrytëzojmë për shëtitje gjatë vikendeve”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, e vetmja rrugë që është e pastruar në komunën e Lipjanit, është ajo para objektit të Komunës.

“Këto deponi pa leje nuk janë vizituar asnjëherë nga inspektorati i Komunës dhe as nga kryetari Imri Ahmeti, ani pse ne si qytetar vazhdimisht kemi bërë kërkesa dhe thirrje publike për pastrimin e këtyre deponive”, ka thënë midis të tjerash Bytyqi.

Me gjithë insistimin e Telegrafit, kryetari Ahmeti gjatë së premtes nuk ka qenë i qasshëm për të marrë një deklaratë lidhur me shqetësimet e fshatit Sllovi./Telegrafi/