Balotazhi i 9 nëntorit, LVV kërkon bashkëpunim me LDK-në në Gjakovë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola, ka kërkuar bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës në këtë qytet.
Përmes një letre drejtuar kryetarit të degës së LDK-së në Gjakovë, Shefqet Shehu, Gola ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është në të mirën e qytetarëve të Gjakovës, transmeton Telegrafi.
Ftesa jonë drejtuar juve, si degë e LDK-së në Gjakovë, është për një bashkëpunim të sinqertë dhe parimor, që buron nga interesi i të gjithë qytetarëve të komunës e jo nga hakmarrjet politike ose ndarjet partiake. Ne nuk kërkojmë marrëveshje për pushtet, por bashkim për drejtësi, barazi dhe zhvillim. Në vend të vazhdimit të status quo-së që i mban qytetarët peng të pak duarve, bashkë me LDK-në mund ta kthejmë Gjakovën në shembull të një rotacioni demokratik për tërë Kosovën", thuhet në letrën e Golës.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 9 nëntor, në Gjakovë në balotazh kanë shkuar Ardian Gjini (AAK) dhe Ardian Gola (LVV). Ndërsa LDK me kandidatin Shefqet Shehun janë radhitur në vendin e tretë./Telegrafi/

.



















































