Ballazhi reagon për dëmtimet e projekteve publike në Han të Elezit

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka reaguar pas dëmtimeve të përsëritura të disa prej projekteve kapitale të realizuara së fundmi në qytet.
Ballazhi ka bërë të ditur se janë dëmtuar disa hapësira dhe elemente infrastrukturore, përfshirë xhamin e Muzeut të Qytetit, i cili është dëmtuar për herë të dytë menjëherë pas zëvendësimit.
Gjithashtu, është dëmtuar xhami anësor i ballkonit panoramik pranë shkronjave të UÇK-së, ndërsa në Parkun te Pishat është dëmtuar çezma e furnizimit me ujë të pijshëm, e dhuruar nga një qytetar.
Kryetari Ballazhi ka theksuar se këto nuk janë vetëm dëmtime të objekteve apo elementeve infrastrukturore, por dëmtim i investimeve publike që janë realizuar në të mirë të qytetarëve.
Ai ka njoftuar se Komuna është në proces të vendosjes së kamerave të sigurisë në këto dhe hapësira të tjera publike, ndërsa ka bërë të ditur se edhe Policia e Kosovës është në dijeni për rastet dhe po i heton ato.
Ballazhi u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi ndaj pronës publike, duke theksuar se ruajtja e investimeve të përbashkëta është përgjegjësi e të gjithëve. /Telegrafi/







































