Bajrami: LVV po bllokon Kuvendin me qëllim, u dit që Gërvalla e Haxhiu si kishin votat

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht Albulena Haxhiun e pastaj Donika Gërvallën, të cilat dështuan të zgjidheshin.
Bajrami u shpreh se LVV e ka ditur se të dyja kandidatet nuk do të marrin votat.
“Sot u propozuan dy kandidate për të cilat dihej se nuk kishin votat. Është e qartë se nuk kishte mbështetje as për Haxhiun, as për Gërvallën,” tha Bajrami.
Ajo theksoi se LVV nuk e ka as interes për të konstituar Kuvendin.
“Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që ju ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar”, ka thënë ajo. /Telegrafi/


















































