LAJMI I FUNDIT:

Bajrami: Kundër hajnave edhe me Guardia di Finanzia

Bajrami: Kundër hajnave edhe me Guardia di Finanzia

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka deklaruar sot se ‘lufta kundër hajnave’ do të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e mundshme vendore e ndërkombëtare dhe pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime, ata do të ndiqen deri në fund.

Bajrami,  në një postim në Facebook ka përkujtuar se më 6 tetor, Guardia di Finanza bashkë me ambasadorin italian në Prishtinë Nicola Orlando kanë vizituar Ministrinë e Financave, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ATK-së, Doganave dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Në takim është diskutuar për një projekt mes Gurdia di Finanza, ATK-së, Doganës dhe NJIF, që do të financohej nga Bashkimi Evropian, e që për qëllim do të kishte bashkëpunimin në luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike.

“Në atë takim jemi pajtuar që institucionet tona të identifikojnë fushat ku dëshirojnë bashkëpunim, gjë të cilën e kanë bërë me kohë”, ka shkruar Bajrami, përcjell Telegrafi.

“Pas vjedhjes në Thesar, në cilësinë e ministres së Financave i kam dërguar letër ambasadorit italian, që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit. Njëherësh kam kërkuar nga ambasadori i BE-së Tomas Szunyog edhe mbështetjen financiare nga BE që Guardia di Finanza të auditojë Thesarin”, tha ajo.

“E kam thënë edhe një herë e përsëris edhe sot se lufta kundër hajnave do të vazhdojë me krejt kapacitetet e mundshme VENDORE E NDËRKOMBËTARE pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime, do të ndiqen deri në fund”, ka shkruar Bajrami.