LAJMI I FUNDIT:

ATA MË DONIN TË VDEKUR

ATA MË DONIN TË VDEKUR

Poezi nga: Mahmoud Darwish
Përktheu: Roland Gjoza

Ata më donin të vdekur kur thanë; Ai na përket ne, ai është yni
Njëzet vjet kam dëgjuar pa pushim hapat e tyre në muret e natës
Ata nuk i kanë hapur dyert, por ja ku janë tani. Unë shoh tre prej tyre;
Një poet, një vrasës dhe një lexues.
I pyeta; Mund t’iu nxjerr pak verë?
Po, m’u përgjigjën.
Kur e keni bërë me fjalë të më vrisni?
Rrini i qetë! ma kthyen.
Ata i vunë njëra pas tjetrës gotat e tyre dhe filluan të këndojnë për njeriun.
I pyeta përsëri; Kur do të më vrisni?
Tani do të kryhet dhe kjo punë, thanë ata, pse i zbathe këpucët përpara se të merrnim shpirtin?
Që të ecin dhe pas vdekjes sime, iu thashë.
Toka është tmerrësisht e errët, pse poezia jote është kaq e bardhë?
Sepse zemra ime është mbushur me tridhjetë dete, u përgjigja.
Ata pyetën sërish; Pse e pëlqeni kaq shumë verën franceze?
Sepse unë dua gratë më të bukura, iu përgjigja.
Ata pyetën; Si do ta doje vdekjen tënde?
Blu, si yjet që derdhen nga një dritare. Doni prapë verë?
Po, do të pimë, thanë ata.
Ju lutem, më lini pak kohë sa të shkruaj poezinë e fundit për gruan e zemrës sime.
Ata qeshën dhe dëgjuan prej meje vetëm fjalët për gruan e zemrës sime.

________


Lexo po ashtu nga Mahmoud Darwish
LETËRNJOFTIMI
PASAPORTA