Asnjë nismë për uljen e çmimit të naftës

Edhe pse çmimet e derivateve në Kosovë po shkojnë drejt niveleve rekorde, nuk pritet ndonjë nismë për uljen e taksave për naftëtarët. Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, i ka thënë RTK-së se momentalisht nuk planifikojnë të procedojnë në parlament ndryshimin e ligjeve ekzistuese për ulje të TVSH-së apo akcizës, siç u veprua së fundmi në rajon.
Kjo pasi sipas saj, me uljen e akcizës buxheti i shtetit do të dëmtohej për 20 milionë euro.
“ Njëherë jo për arsye se tendenca e çmimit ka qenë në rënia. Në rast se për 20 centë zbritet akciza humbja për buxhetin e shtetit do të ishte 20 milionë euro”, tha Mimoza Kusari-Lila, ministre e Industrisë.
Por, në rast se çmimet vazhdojnë të jenë të larta, ministrja thotë se do t'i rishikojnë mundësitë më të mira.
“Do të konsultohemi brenda qeverisë me të gjithë mekanizmat për t’i lehtësuar qytetarët dhe bizneset, pa ndikuar tek produktet bazë,” tha Mimoza Kusari-Lila.
Ndryshimet e TVSH-së dhe akcizës mund të propozohen nga qeveria, deputetët e Kuvendit dhe Komisionet Parlamentare
Nga partitë politike nuk e kanë konfirmuar nëse janë duke planifikuar ndonjë nismë për ndryshim të ligjeve ekzistuese.
E derisa konflikti në Iran të vazhdojë, vlerësohet se nuk do të ketë siguri për çmimet e derivateve në Kosovë. Një litër naftë ka shkuar në rreth 1 euro e 80 centë. Edhe pse në bursë ditëve të fundit ka nisur të ulen çmimet, në Kosovë ngritjet kanë vazhduar.
Nga Shoqata e Naftëtarëve i kanë thënë televizionit se nga java tjetër çmimet mund të shënojnë rënie të lehtë.
Për shkak të ngritjes së çmimit të derivateve në Bursë, Shqipëria ditë më parë ka ulur akcizën për rreth 20%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në për 10%. Një litër naftë në Shqipëri po shitet rreth 2 euro e 20 cent, ndërsa në Maqedoni të Veriut rreth 1 euro e 60 centë.




















































