Arsenali merr goditje të rëndë, Gabriel lëndohet me Brazilin dhe pritet t'i mungojë gjatë
Lojtarët e Arsenalit po kalojnë një formë të shkëlqyer këtë sezon dhe kryesojnë Ligën Premier pas 11 xhirove të para.
Atmosfera ishte pothuajse ideale në “Emirates”, por pushimi i kombëtareve solli lajme të këqija për skuadrën e Mikel Artetës.
Gjatë grumbullimit me kombëtaren e Brazilit, mbrojtësi i Arsenalit Gabriel Magalhaes ka pësuar një lëndim, duke alarmuar klubin londinez.
Nëse konfirmohet skenari më i keq, braziliani mund të humbasë deri në 11 ndeshje të Arsenalit, me klubin që ka një kalendar tepër të vështirë përpara, duke përfshirë sfida ndaj Tottenhamit, Bayern Munichut, Chelseat, Brentfordit dhe Aston Villës.

Gabriel është një ndër mbrojtësit më të rëndësishëm të Arsenalit dhe një pikë kyçe në prapavijë. Përveç sigurisë që sjell në mbrojtje, ai është gjithashtu rrezik i vazhdueshëm në gjuajtjet standarde falë aftësive të tij në ajër.
Këtë sezon, ai ka luajtur në 17 ndeshje, duke shënuar 2 gola dhe dhënë 3 asistime, duke qenë një ndër më të konsistentët e ekipit.
Vlerësimet përfundimtare nga stafi mjekësor i Arsenalit ende nuk janë bërë publike, por sipas raportimeve të The Athletic, lëndimi mund ta mbajë Gabrielin jashtë fushave deri në fund të vitit, një goditje e rëndë për pretenduesit e titullit në Premier Ligë. /Telegrafi/






























