Arrestohet këngëtari legjendar Akon

Këngëtari dhe producenti i njohur Akon u ndalua për pak kohë në burg në shtetin e Xhorxhia-s, SHBA, për shkak të një urdhër-arresti aktiv, sipas autoriteteve lokale.
Artisti 52-vjeçar — emri i vërtetë i të cilit është Aliaune Thiam — u vu në pranga nga Policia e Chamblee në mëngjesin e 7 nëntorit, për një urdhër-arrest që raportohet se ishte lëshuar nga Roswell, sipas raportimeve të TMZ.
Sipas të dhënave të burgut të qarkut DeKalb, ai u regjistrua dhe u mbajt për disa orë, përpara se të lirohej më vonë po atë ditë.

Media gjithashtu publikoi edhe fotografinë e arrestimit të Akon-it, ku ai shihet me një shprehje neutrale në fytyrë, i veshur me një bluzë me kapuç të zi.
Urdhër-arresti ishte lëshuar dy muaj më parë, pasi policia kishte zbuluar se ai po ngiste makinën me patentë të pezulluar, sipas dokumenteve të siguruara nga The Independent.
Departamenti i Policisë së Roswell-it i tha mediave se në muajin shtator, policia kishte gjetur Akon-in të mbetur në anë të rrugës me Tesla Cybertruck-un e tij, pasi makina i kishte mbetur pa bateri.
Makina e tij u tërhoq nga policia, dhe si rezultat i ndërveprimit me oficerët, u zbulua se ai kishte patentë të pezulluar për shkak të mosparaqitjes në gjykatë në janar të vitit 2023.
Policia i lëshoi një gjobë, i sekuestroi patentën dhe i konfiskoi një vape të paligjshme që kishte me vete këngëtari.
Më pas, Akon u arrestua më 7 nëntor, në bazë të një urdhër-arresti nga gjykata.



























































