LAJMI I FUNDIT:

Arratisja e të akuzuarve për terrorizëm, dështim i drejtësisë kosovare

Arratisja e të akuzuarve për terrorizëm, dështim i drejtësisë kosovare

Arratisja e të akuzuarit si rekrutues për terrorizëm, Irfan Haqifi, njëkohësisht vëllai i një komandanti kosovar në ISIS, ngre pikëpyetje mbi aftësinë e sistemit të drejtësisë së Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve, ndërsa të pandehur të tjerë rezultojnë gjithashtu të zhdukur.

Javën e fundit të tetorit, mediat kosovare publikuan lajmin se një i akuzuar për terrorizëm, Irfan Haqifi, kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak dhe kishte ikur në drejtim të paditur.

I arrestuar në korrik 2014 dhe i akuzuar për rekrutim për terrorizëm, Haqifi ishte liruar nga paraburgimi dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak, pasi pranoi fajësinë në shtator të vitit 2015.


Në shtator të këtij viti, stacioni policor në Gjilan njoftoi “përmes një shkrese zyrtare… Gjykatën Themelore në Prishtinë se i pandehuri I.H. nuk i është përmbajtur masës së arrestit shtëpiak dhe i njëjti është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për ‘Gazetën Jeta në Kosovë’.

Ndërsa Kosova ka kryer dhjetëra arrestime dhe është duke gjykuar rreth 70 të akuzuar, nga të cilët disa janë shpallur fajtorë, shumica e të pandehurve akuzohen për pjesëmarrje në organizata terroriste apo për krime më të lehta si armëmbajtja pa leje.

Si rrjedhojë, aktakuza e Irfan Haqifit si rekrutues për organizatën terroriste ISIS spikat mbi shumicën e rasteve të tjera. Gjithashtu, çka e bën profilin e Haqifit edhe më të ndjeshëm është fakti se i vëllai i tij është Ridvan Haqifi, i njëjti që në një video mesazh kërcënoi vendet e Ballkanit me sulme terroriste.

“Do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në ëndrrat e juaja, edhe atëherë kur ju flini. Do t’ju mbysim juve me lejen e Allahut”, deklaroi Ridvan Haqifi, duke nxitur Kosovën dhe Shqipërinë të rrisin nivelin e sigurisë.

Diçka e tillë ndodhi tre muaj para se Irfani të dilte nga paraburgimi. Më 3 shtator 2015, kur gjykata po shqyrtonte masat e sigurisë për Haqifin dhe të dyshuar të tjerë që kishin pranuar fajësinë, prokuroria gjithashtu ra dakord që ai të vendosej në arrest shtëpiak.

Edhe pse nuk ka një shifër të përgjithshme zyrtare, shumica e të pandehurve që përballen me akuza për terrorizëm janë lëshuar nga paraburgimi dhe ndodhen nën masa më të lehta sigurie.

Krahas Irfan Haqifit, të paktën edhe dy të akuzuar të tjerë për terrorizëm, Bekim Mulolli dhe Betim Ibrahimaj, raportohet se kanë shkelur masën e arrestit shtëpiak dhe janë arratisur jashtë vendit.

Prokuroria speciale e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë nëse ata kanë kryer ndonjë vlerësim mbi nivelin e rrezikshmërisë që paraqesin të akuzuar specifikë, para se të vendosej për zbutjen e masës së sigurisë.

Personat për të cilët është vendosur arrest shtëpiak apo detyrim paraqitjeje në stacion policor, si masa më të lehta sigurie se paraburgimi, në Kosovë nuk përdorin byzylykë elektronikë (që tregojnë vendndodhjen përmes GPS), ndërsa gjykata nuk u kufizon përdorimin e internetit për të akuzuarit.

Arratisje të paralajmëruara

Në shtator 2015, ‘Gazeta Jeta’ në Kosovë publikoi një analizë ku trajtohej imtësisht çështja e nxjerrjes së të akuzuarve për terrorizëm nga paraburgimi në rastet kur ata pranonin fajësinë.

Gjithashtu, gazeta ka publikuar edhe pretendimet e të paktën dy avokatëve në kohë të ndryshme, të cilët kanë thënë se të akuzuarve për terrorizëm po u bëhej presion që të pranonin fajësinë, në mënyrë që të liroheshin nga paraburgimi.

Blerim Isufaj, në atë kohë prokuror special për rastet e 32 të akuzuarve për terrorizëm, u pyet nga Gazeta JNK se përse ishte pajtuar për ndryshimin e masës së sigurisë për disa nga të akuzuarit. “Kjo është punë e gjykatës; lëreni këtë punë, nuk është punë e juaja”, tha atëherë Isufaj.

Isufaj, që aktualisht është kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, sot kur të paktën tre të dyshuar për terrorizëm janë arratisur nga arresti shtëpiak në ndrejtim të paditur, mund ta ketë kuptuar se çështja e masave të sigurisë për të akuzuar për krime të rënda, nuk është vetëm “punë e gjykatës”.

Mungesa e masave të përshtatshme ka bërë që disa të akuzuar të arratisen. Në korrik 2015, Betim Ibrahimaj, i cili duhet të ishte në arrest shtëpiak i akuzuar për vepra që kishin lidhje me terrorizmin, u shfaq në Badovc bashkë me disa të dyshuar të tjerë.

Ndërsa Ibrahimaj arriti të arratisej, pjesa tjetër e grupit ra në pranga, kur iu gjet një flamur i ISIS, një letër në arabisht ku i jepej besa liderit të ISIS, al-Bagdadi, uniforma ushtarake dhe armë. Gjykata i dënoi pesë burrat me 49 vjet në total, pasi arriti në përfundimin që kishin shkuar aty për të filmuar një video propagande për ISIS.

Në dhjetor 2015, një i akuzuar tjetër për terrorizëm, Bekim Mulolli nuk u paraqit në seancën gjyqësore në Prishtinë, duke shfaqur dyshime se ishte arratisur në Siri. Një gjykatëse e çështjes tha se ekzistonin dyshime që i pandehuri kishte vdekur.

Në fakt, edhe para këtyre rasteve specifike, Kosova ka pasur përvoja udhërrëfyese me pasojat që mund të kenë masat e dobëta të sigurisë ndaj të akuzuarve me rrezikshmësri të lartë.

Më 9 maj 2015, Shefqet Hallaqi, i njohur me nofkën “Sheki”, ishte ndër të arrestuarit nga forcat e sigurisë së Maqedonisë në betejën me grupin e armatosur shqiptar, në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Në vitin 2014, ai kishte hapur zjarr me kallashnikov drejt një stacioni policor në Prizren dhe në mars 2015, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 3 vjet e 2 muaj burg dhe 4 mijë euro gjobë. I pakënaqur me dënimin ai apeloi. Gjykata e liroi nga masa e paraburgimit, dhe brenda dy muajsh Sheki iu rikthye kallashnikovit, kësaj here në Kumanovë.

Në rastin e arratisjes së Irfan Haqifit, gjykata pranon se “pas pranimit të fajësisë të njëjtit i është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe është njoftuar stacioni i policisë në Gjilan për mbikëqyrjen e kësaj mase”.

Në shumicën e rasteve, të pandehurit që pranojnë fajësinë nxirren nga paraburgimi dhe u caktohen masa më të buta sigurie, por ligjshmëria e kësaj praktike mbetet e paqartë.

Ekipi ligjor i BIRN ka vërejtur se askund në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës nuk shkruhet se pranimi i fajësisë ndikon në rishikimin e masës së sigurisë. Është e paqartë sesi kjo praktikë e pambështetur në mënyrë eksplicite në ligj, ka gjetur zbatim kaq të përhapur në gjyqësorin kosovar.

Progres i ngadaltë

Ndërsa Kosova përballet me luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm, një pjesë e problemit janë luftëtarët e kthyer. Sipas policisë së Kosovës, vlerësohet se 316 kosovarë iu bashkuan konfliktit në Siri dhe Irak dhe se 117 prej tyre janë kthyer.

Edhe pse mungojnë shifrat zyrtare, vlerësohet se rreth 70 të akuzuar për vepra që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm – kryesisht për pjesëmarrje në organizata terroriste në Siri – po gjykohen apo janë gjykuar në sistemin gjyqësor të Kosovës. Ky vëllim të dyshuarish ka vënë në sprovë sistemin e drejtësië dhe atë të sigurisë, duke nxjerrë në pah disa kufizime.

Kosova ka përgatitur një strategji kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku parashikohen një sërë ndërhyrjesh në nivel të parandalimit dhe ç’radikalizimit, por zbatimi i saj nuk ka filluar ende.

Nga njëra anë sistemi kosovar i drejtësisë po bën ç’mos për t’i burgosur luftëtarët e kthyer, ndërsa nga ana tjetër mbajtja e tyre në paraburgim apo burgosja krijojnë rrezik për radikalizimin e të burgosurve të tjerë.

Në një konferencë mbi ekstremizmin e dhunshëm në Prishtinë të organizuar nga OSBE-ja dhe Ministria e Brendshme, kjo qasje doli në pah kur nga njëra anë zyrtarët vendas flisnin për burgosje, ndërsa ata ndërkombëtarë për masa alternative me ç’radikalizimin në fokus.

“Të kthyerit [luftëtarët] po trajtohen me një ligj të shkëlqyeshëm”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës Skender Hyseni.

Aktualisht, Kosova nuk ka legjislacion për ç’radikalizimin dhe ministri nuk shpjegoi se çfarë përbënte një “ligj të shkëlqyeshëm”.

Ligji i fundit që trajton edhe ekstremizmin e dhunshëm ishte ai i miratuar në mars 2015 që e bën vepër penale luftimin në konflikte apo pjesëmarrjen në formacione të huaja ushtarake. Megjithatë, duke qenë se pjesa dërrmuese e të dyshuarve që janë aktualisht në gjyq, akuzohen se kanë luftuar në Siri në 2013 dhe 2014, ata nuk mund të gjykohen sipas ligjit të ri dhe janë akuzuar e gjykuar sipas Kodit Penal.

Në cilindo rast, të kthyerit po ‘trajtohen’ përmes ngritjes së aktakuzave dhe shpalljen e tyre fajtorë në sistemin kosovar të drejtësisë, në mungesë të një platforme ekzistuese për ç’radikalizimin dhe rehabilitimin e të dyshuarve.

Vesë Kelmendi, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha për Gazetën JNK se kjo organizatë është pjesë në grupin teknik punues në hartimin e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, në të cilën janë mbajtur edhe workshopet për trajtimin e ish-luftëtarëve të huaj të kthyer tashmë në Kosovë.

“QKSS ka qenë e përfshirë në grupin punues për hartimin e programeve për deradikalizem dhe ri-integrim të luftëtarëve të huaj në burgje, jashtë burgjeve, si dhe familjarët e tyre, të cilët mund të jenë subjekt i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”, tha Kelmendi.

Megjithatë, asnjë prej programeve nuk ka hyrë në fazën e zbatimit. “Këto programe janë hartuar, dhe implementimi i tyre, pritet të fillojë në fillim të vitit 2017”, tha Kelmendi.

Ajo tha se QKSS konsideron që secili program duhet t’i ketë specifikat e veta dhe secili rast duhet të trajtohet në mënyrë të ndryshme, sipas shkallës së radikalizmit. “Ka shumë dallime edhe në mes luftëtarëve të huaj dhe rekrutuesve, pra fillimisht duhet të bëhet identifikimi i tyre”, tha Kelmendi.

Ajo përmendi nevojën e përfshirjes së familjarëve të radikalëve brenda programeve të ri-integrimit, bashkësia islame si dhe psikologë, duke iu referuar programeve të ri-integrimit sipas praktikave nga disa vende të Bashkimit Evropian, si Norvegjia apo Danimarka./KALLXO.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Mbahet seanca gjyqësore për rastin

Mbahet seanca gjyqësore për rastin "Kobra", ai thotë se nuk ndihet fajtor

Drejtësi
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Kronika e Zezë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Kalo në kategori