Pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ku ishte shtruar në repartin infektiv, raportohet se është pezulluar nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit.

Ndoci, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, konsiderohet si person i rrezikshëm, pasi akuzohet ndër të tjera edhe për vrasje. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, "pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali".


A2 CNN mëson se Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, efektivi ka qëlluar në ajër po pa arritur ta ndalojë.

Ndoci konsiderohet pjesë e klanit Çopja nga Elbasani dhe është pjesë e dosjes së SPAK me 33 të pandehur për këtë organizatë kriminale. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave edhe “vrasje”.