Armand Duplantis i mrekullueshëm – thyen rekordin botëror dhe shpallet kampion bote për herë të tretë radhazi

Atleti suedez, Armand Duplantis, vazhdon të shkruajë historinë e kërcimit me shkop. Në Botërorin e mbajtur në Tokio, 25-vjeçari jo vetëm që fitoi medaljen e artë për herë të tretë radhazi, por edhe theu rekordin botëror, duke e ngritur standardin e disiplinës së tij në një nivel tjetër.
Pas titujve të fituar në Eugene (2022) dhe Budapest (2023), Duplantis dominoi edhe garën e këtij viti. Ai hyri në pistë direkt në lartësinë 5.85 metra, të cilën e kaloi pa vështirësi.
Më pas, pasi tejkaloi 5.95 metra dhe 6.00 metra, rivali i tij i vetëm mbeti greku Emmanouil Karalis, i cili u ndal në 6.10 metra, duke u mjaftuar me medaljen e argjendtë. Australiani Kurtis Marschall mori bronzin.

Duplantis, në stilin e tij të zakonshëm, nuk u ndal vetëm te fitorja. Ai kaloi 6.15 metra dhe më pas vendosi të synonte rekordin botëror. Në përpjekjen e tretë mbi traversën prej 6.30 metrash, ai ia doli mbanë, duke e thyer për herë të 14-të rekordin botëror në karrierën e tij.
Ky është rekordi i tretë botëror i vendosur prej tij vetëm gjatë vitit 2025, duke e konfirmuar si atletin më dominues të dekadës në këtë disiplinë. /Telegrafi/


















































