LAJMI I FUNDIT:

Arjola Shehu, nën sharmin e një perfeksionisteje

Arjola Shehu, nën sharmin e një perfeksionisteje

Një vit më partë ishte vajza që prezantonte lezetshëm lajmet e showbiz-it. Sot është një nga mikpritëset më të suksesshme të ekranit, me një format televiziv që mban emrin e saj.

Si arriti Arjola Shehu për kaq pak kohë të shndërrohet në një yll televiziv. Prezantuesja përgjigjet thjesht: “Dëshirë e madhe për të punuar pa bërë kompromis”.


Arjola më trego pak si e kanë qenë fillimet tua si prezantuese? Dua të di të gjithë historinë?

Ekranin e kam dashur gjithmonë. Dhe kam qenë këmbëngulëse mjaftueshëm, për të arritur gjërat që doja të kisha në jetë. Kur nuk njeh askënd të fushës dhe kur nuk di nga t’ia fillosh sigurisht nuk është e thjeshtë, por i imi ishte edhe fat. Pasi u bëra protagoniste në një spot publicitar mu ofrua mundësia të bëja një casting në një televizion rinor që do të hapej dhe që më pas do të kthehej në shtëpinë time, Mad Tv. Unë nuk u katapultova menjëherë me detyra të mëdha, por dita si t’i realizoj të voglat më shumë përkushtim dhe dashuri, besoj edhe profesionalizëm. Fillova me lajmet e showbizzit, por sigurisht që nga vetja pretendoja shumë më shumë. Ndoshta duke parë dashurinë time për punën dhe pasionin më të cilin i realizoja detyrat që më ngarkonin, drejtuesit e televizionit vendosen që të më angazhonin seriozisht edhe në radio, ku prej 2 vitesh drejtoj emisionin e mëngjesit. Megjithatë duke iu referuar edhe pyetjes, ishte rubrika “Life Stories” ajo që më përmbushi dhe solli atë që unë kisha pritur nga televizioni, një rubrikë ku duhet të intervistoja personazhe të njohur e me peshë, jo vetëm nga arti por edhe më gjerë.

Ke modele prezantuesesh të huaja prej të cilave je frymëzuar e ndoshta edhe je zhvilluar dhe rritur edhe vetë profesionalisht?

Besoj si edhe shumë të rinj të tjerë, unë jam rritur me televizionet italiane dhe e dashuroj mënyrën sesi bëhet televizion përtej bregut. Më pëlqen shumë energjia që përcjellin! Unë vazhdoj t’i shoh emisionet e tyre dhe akoma më frymëzojnë.

Cila është këshilla më e mirë që ke marrë në lidhje me këtë punë dhe që e mban “vath në vesh”?

Të jem e vërtetë! Edhe në këtë pjesë kam qënë me shumë fat. E vërteta është se në lnTv unë jam e rrethuar më shumë dashuri dhe me njerëz që kanë dëshirën e mirë për të më ndihmuar … Sigurisht nuk më “duan” të gjithë, se në atë rast do kishte diçka që s’do shkonte me mua … (qesh)!

Cilat janë sfidat e një prezantueseje të re?

Besoj luftën më të madhe unë e kam me veten. Jam pak natyrë perfeksioniste dhe nuk i pranoj lehtë gabimet tek vetja. Megjithatë për atë çfarë serviret sot në televizion, një sfidë për prezantueset e reja është të tregosh se ti vlen për atë që je dhe jo për atë që dukesh, sigurisht ato që e kanë një ambicie të tillë.

Çfarë mendon se të bën më të veçantë nga koleget e tua?

Në punën time unë nuk bëj kompromise, shpresoj të vazhdoj gjithmonë kështu. Pastaj sa i përket vlerave të mia si prezantuese preferoj të mos flas unë, besoj se në këtë rast flet vet puna, e imja apo e gjithsecilit që është pjesë e ekranit.

Çfarë ke mësuar gjatë punës si prezantuese e njëkohësisht edhe si gazetare?

Se kjo është gjëja që dua të bëj dhe jam e lumtur që është kthyer në realitetin tim të përditshëm.

Ke pasur personazhe të vështirë? Si e ke menaxhuar situatën në të tilla raste?

Më tepër se të vështirë do t’i konsideroja të lodhshëm ata personazhe që nuk japin shumë. Pastaj sigurisht kam patur personazhe me peshë, ku në këto raste mbase përgjegjësia është më e madhe dhe duhet pak më shumë përgatitje. I konsideroj të gjithë te ftuarit e mi si gurë të çmuar pjesë të mozaikut të emisionit tim, ”Tek Unë me Arjola Shehun”, por sigurisht nuk janë të gjithë diamantë. (qesh)

Cila është intervista që ke shijuar më shumë dhe pse?

Ndodh shpesh që në studio të vijnë personazhe që nuk vendosin dot se cilin koleg ndjejnë më pranë, apo se cilin koleg vlerësojnë më shumë. Unë nuk i kam këto “komplekse”. Për energjinë pozitive që më përcolli dhe sportivitetin që tregoi, unë do të veçoja Gentian Zenelaj, por që të gjithë të ftuarit e mi i kam pas shumë special, për këtë nuk ka dyshime!

Cila është këshilla më e mirë që mund t’i jepje një prezantuese që sapo ka filluar këtë punë?

Së pari se nuk mjafton vetëm talenti, por të duhet të punosh shumë. Dhe nëse vërtet e besojnë se vlejnë, asnjëherë nuk është vonë për ta provuar se vërtet është kështu. Ëndrrave duhet t’u shkojmë deri në fund!

Herë pas here shfaqesh edhe si modele, me fizikun që ke nuk mendon se do të kishe pasur sukses si modele nëse do të kishe provuar fatin jashtë Shqipërisë?

Jo, nuk e kam parë asnjëherë modelingun si diçka që mund të më kthehej në profesion. Nuk i bëj dot kompromiset që kërkojnë të jesh modele në Shqipëri, mund ta imagjinoni pastaj vet jashtë vendit. Kujtoj me buzëqeshje kur dikush për të më bërë të ndihem keq, menjëherë pasi unë nuk kisha pranuar të sfiloja me rrobabanjo, tha se nuk mund të quhesh modele nëse nuk del me të brendshme. Nuk reagova por më erdhi për të qeshur. Nuk kishte sesi ta dinte se në fakt qëllimi im nuk ishte aspak të quhesha një “modele”. Por nga ana tjetër më vjen mirë kur shoh vajza që rrugën e filluan me mua, që kanë ecur aq shumë dhe që po arrijnë të tregojnë aftësi të mira në modeling!

Çfarë është dëshira jote më e madhe profesionale?

Këtë po e mbaj për vete, sepse thonë që po i the synimet edhe aspiratat e tua e ke më të vështirë t’i realizosh. Gjithsesi mund të them se nga vetja pres shumë!

Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?

Duke bërë diçka që më përmbush, nëse vazhdon të jetë televizion, sa mirë!

“Harmony”