Pas disa raportimeve për paraqitjen e arinjve në fshatin Bellobrad të Dragashit dhe zonat përreth, banorët janë përballur me shqetësim të shtuar, veçanërisht prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit.

Ankesa zyrtare e paraqitur nga drejtori i shkollës ka vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse.


Policia e Kosovës, përmes Stacionit Policor në Dragash, ka reaguar menjëherë duke shtuar patrullimet në zonë dhe duke koordinuar veprimet me institucionet kompetente, përfshirë: Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri”, Drejtorinë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër”.

Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” ka konfirmuar se operacioni për largimin e arinjve ka përfunduar me sukses.

Sipas tyre, arinjtë janë rikthyer në habitatin e tyre natyror në pyje, ku janë ushqyer dhe stabilizuar, duke eliminuar rrezikun e rikthimit në zonat e banuara.

Policia njofton se situata tashmë është e sigurt dhe banorët e Bellobradit mund të qarkullojnë pa pasur shqetësime. Ajo falënderon të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin dhe reagimin e shpejtë që mundësoi zgjidhjen e këtij rasti./Telegrafi/