Ardian Kastrati i bashkohet AAK-së, Haradinaj e prezanton si kandidat për deputet

Ish-deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka kaluar në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e prezantoi Kastratin përmes një video-adresimi në Facebook.
Sipas Haradinajt, Ardian Kastrati do të jetë kandidat për deputet në listën e AAK-së.
“Ardian Kastrati, nga sot krah nesh! Profesor i shkencave politike dhe një figurë e formuar në akademi, institucione dhe diplomaci. Nga Lëvizja Studentore ’97–’98 e deri te përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës u dallua si një ndër figurat më të zëshme, më aktive dhe i palëkundur në qëndrimet e tij”, shkroi Haradinaj.
Ai shtoi se ardhja e Kastratit në AAK është pjesë e një vizioni më të gjerë:
“Mirësevjen Ardian, po bashkohemi sepse jemi të vendosur dhe të qartë se çka duam për Kosovën tonë: zhvillim, siguri dhe integrim.”
Me këtë lëvizje politike, AAK-ja forcon listën e saj zgjedhore me një tjetër figurë të njohur nga fusha e politikës dhe akademisë.

















































